Rrëzimi para marrëveshjes së pagarantuar

Nga Burim Ramadani

Rrëzimi i pozicionit të Kosovës pa filluar zyrtarisht përpjekja për marrëveshjen e pagarantuar, është rrëzim paraprak i mundësisë së arritjes së marrëveshjes

Nuk ka garancë se midis Kosovës dhe Serbisë do të ketë marrëveshje. Aq më pak, marrëveshje finale e historike të pranuar mirë nga të gjitha palët. Të gjithë po flasim për përpjekje për marrëveshje, por ajo assesi nuk është e garantuar që do të ndodh.

Kjo, besoj, është pika e përbashkët e të gjithë neve, qoftë më optimistëve apo më pesimistëve për procesin qysh tashmë të ndërlikuar, ende pa filluar mirë.

Në këtë kontekst, rrëzimi i pozicionit të Kosovës pa filluar zyrtarisht përpjekja për marrëveshjen e pagarantuar, është rrëzim paraprak i mundësisë së arritjes së marrëveshjes. Është dhënie e një hapësire të re të manovrimit diplomatik të Serbisë për të dështuar sërish arritjen e marrëveshjes, e cila në këtë rast do të diskutonte mbi axhenda territoriale.

Më pas, rrjedha logjike, bazuar në rrethanat e deritashme të sjelljes armiqësore të Serbisë, një valë e re e dialogut do të përfshinte vetëm dhe vetëm ndarjen e Kosovës, me emër të saktë!

Këtu, sikurse dje, sot dhe nesër, shteti i Kosovës do të vendosej në pikëpyetje elementare. Do të thellohej përpjekja për ndrrimin e historisë plotësisht.

E vërteta e zhveshur është se ne kemi bërë shtet. E vërtetë, nuk kemi fuqi nukleare (të cilën mbi 90 për qind të shteteve në botë nuk e kanë!), por shteti i Kosovës ekziston.

A mund ta zhbëjë Serbia shtetin e Kosovës? A mund ta pushtojë ushtarakisht? A mund të vendos administrim mbi Kosovën sërish Serbia?

Besoj se këtu e kemi të qartë përgjigjen: kurrë më!

Prandaj, ndrrimi i rrjedhës së historisë nuk është në favor të Kosovës. Nuk është në interes të shtetit të Kosovës.

Për më tepër, këto ide nuk janë pranuar nga elita dhe qytetarët e Kosovës. Deri më tash, nuk ka subjekt politik parlamentar në Kosovës që është pro shkëmbimit të territorit, lëre më të ndarjes së Kosovës.

Edhe më shumë, largimi i ideve territoriale nga tavolinat e negociatave është vendosur si një prej parimeve për më shumë se tri dekada. Thyerja e parimeve të vendosura tashmë më shumë se 30 vjet për zgjidhjen e konflikteve në Ballkan, është fitore direkte për axhendat ruse e serbe për axhendat territoriale. Sepse, sërish t’i kthehemi elementit bazik: nuk ka asnjë garancë për arritjen e marrëveshjes.

Rrëzimi i parimeve dhe pozicionit të Kosovës paraprakisht është dëmi më i madh strategjik që i është bërë Kosovës para këtij procesi të dialogut.

Kështu, gabimet strategjike nuk duhet të përsëriten.

Diskutimi mbi atë që ‘nuk ka shancë të kemi njohja nga Serbia pa i dhënë diçka (territor në këtë ide!)’ është diskutim që vëndos në pikëpyetje të gjitha përpjekjet në fazë të ndryshme historike të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci.

Elementet territoriale janë axhenda shumë të vjetra të Serbisë. Nëse ne themi që përmes marrëveshjeve territoriale kemi të bëjmë me ide kreative, atëherë kjo domosdoshmërisht dëshmon që ne qenkemi bindur se Serbia paska pasur të drejtë vazhdimisht për më shumë se 30 vjet. Pra, ne të gjithë paskemi qenë gabim, populli i Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë. Sepse, Serbia paska thënë diçka të cilën tash po e shohim si ‘ide kreative’.

Pikënisja në këtë argumentim me shpjegimin se Kosova nuk ka arritur të zbatojë plotësisht sovranitetin në tërë territorrin, është pikënisje nga një pozicion i dorëzimit. Dhe, dorëzimi nuk duhet të jetë opsion!

Ndalja e idesë territoriale është parandalim i humbjes së Kosovës.

©Kabllogrami

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë