LDK përjashton mediat në zgjedhjen e kryetarit

Lidhja Demokratike e Kosovës sot /e shtunë/ do ta mbajë Kuvendin e IX-të zgjedhor, ku do ta zgjedhë kryetarin e ri.

Kuvendi do të jetë i mbyllur për media.

Sipas njoftimit të kësaj partie, LDK fton mediat që të përcjellin këtë aktivitet, i cili mbahet të shtunën /sot/ më datë 3 gusht, në orën 10:00, ku bëhet me dije se mediat mund të marrin vetëm pamje në hyrje të hotelit ku mbahet ky Kuvend.

E tek pas punimeve të Kuvendit Zgjedhor, pritet një  konferencë për media.

“Nesër (e shtunë), më datë 3 gusht 2019, në orën 10:00, Lidhja Demokratike e Kosovës finalizon procesin zgjedhor, mban Kuvendin e IX Zgjedhor. Kuvendi mbahet në Emerald Hotel. Regjistrimi i pjesëmarrësve bëhet nga ora 09:00. Në pjesën hyrëse mediet mund të marrin pamje. Pas punimeve të Kuvendit, LDK mban konferencë për medie”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Kjo nuk është hera e parë që LDK-ja mbyll për media punimet në Kuvende Zgjedhore, pas atij që njihet tashmë si Kuvendi i karrigeve.

Në Kuvendin e kaluar, në maj të 2015-s, në të cilin probleme kishte pasur me Vjosa Osmanin të cilës i ishte mohuar kandidimi si dhe me Donika Gërvalla Schartz, mediat ishin larguar nga salla, në momentin që kishin nisur pakënaqësitë mes delegatëve për përfaqësim në Këshillin Drejtues të partisë.

Isa Mustafa ishte rizgjedhur kryetar, me aklamacion në këtë Kuvend. Ndërsa për herë të parë ai ishte zgjedhur në vitin 2010, derisa kundër-kandidat e kishte kryetarin e deriatëhershëm Fatmir Sejdiu. E ky i fundit ka shprehur kandidaturën për t’u kthyer në krye të LDK-së, transmeton Telegrafi.

Duhet theksua se, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se është arritur marrëveshja për një kandidat konsensual për kryetar të LDK-së.

“Është e vërtet se është arritur marrëveshja për një kandidatë konsensual për kryetar i cili formalisht do të shpallet nesër në ora 10:00 në Kuvendin e LDK-së”, tha ai të premten në emisionin Debatplus, përcjell Telegrafi.

Në Kuvendin e nesërm të LDK-së, parti kjo që deri tani është udhëhequr nga Isa Mustafa, pritet të marrin pjesë 355 delegatë nga 38 degë. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë