Limaj: Vuçiqi me retorikë luftënxitëse si ish-shefi i tij Millosheviqi po përgatitet ta destabilizojë rajonin

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, deklarimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i ka quajtur retorikë luftënxitëse të njëjta me, siç thotë ai, ish-shefin e tij Sllobodan Millosheviq, duke i frikësuar qytetarët serbë dhe fajësuar gjithë botën.

“Si duket Vuçiqi po përgatitet ta destabilizojë rajonin, gjithmonë duke i përdorur bashkëqytetarët tanë serbë të Kosovës, të cilët janë në presion për t’i shërbyer qëllimeve të tij politike”, ka shkruar Limaj në Facebook.

Në vijim mund ta lexoni të plotë postimin e Limajt në rrjetin social Facebook:

“Presidenti serb, Aleksandar Vuciq, me retorikë luftënxitëse si ish-shefi i tij Millosheviqi, duke i frikësuar qytetarët serbë dhe fajësuar gjithë botën, si duket po përgatitet ta destabilizojë rajonin, gjithmonë duke i përdorur bashkëqytetarët tanë serbë të Kosovës, të cilët janë në presion për t’i shërbyer qëllimeve të tij politike.

Me paralajmërimet e vazhdueshme se do të marrë masa duke përcaktuar afate kohore, tregon se ai po tenton t’i përdorë edhe këtë herë serbët e Kosovës për interesa të veta. Në fakt, kjo është shkolla e Millosheviqit që Vuçiqi me shumë përkushtim po mundohet ta imitojë ish shefin e tij në çdo gjë.

Shtirja e tij e alarmuar për platformën tregon më së miri se sa larg është ai nga realiteti.

Kosova pas tre muajve mbush 20 vjet që është e lirë. Ndërsa para afro një muaji festuam 11-vjetorin e Pavarësisë. Në platformën e miratuar një ditë më parë në Kuvendin e Kosovës nuk ka asgjë tjetër përveç përshkrimit të këtij realiteti që sot ekziston. Porosia ime për të është ta pranojë realitetin e krijuar tash e dy dekada në këtë pjesë të Ballkanit.”, ka thënë Limaj në fund të postimit të tij./©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë