LVV: Një vit bllokim i KQZ-së, shkelje e rëndë e Kushtetutës nga presidenti

Lëvizja Vetëvendosje përmes një aksioni simbolik ritheksoi sot edhe një herë veprimin flagrant antikushtetues të Hashim Thaçit, i cili i vetmuar në zyrën e tij dhe i braktisur nga populli, po rrezikon hapur jetën politike në vend dhe funksionimin e pavarur të institucioneve kushtetuese, siç po bën me bllokimin e KQZ-së për më shumë se një vit.

Deputetja Drita Millaku foli për përgjegjësitë kushtetuese që ka presidenti Thaçi për garantimin e funksionimit të organeve kushtetuese, që e ka kthyer zyrën e Presidencës në të kundërtën e funksioneve dhe përgjegjësive dhe që po rrezikon sa integritetin shtetëror, po aq edhe ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në vend, cenimin e demokracisë dhe funksionimin e institucioneve.

“Është bërë plot një vit nga kur KQZ-ja, ky institucion i rëndësishëm kushtetues, është shndërruar nga Hashim Thaçi në një institucion ku testohen skenarët e Hashim Thaçit kundër opozitës e për të penguar veprimtarinë politike të subjekteve opozitare, por edhe për të shpërblyer deputetë e grupe deputetësh tregtarë për shërbimet ndaj tij”, ka thënë ndër të tjera Drita Millaku, përcjell koha.net.

Gjatë këtij viti, KQZ-ja që do të duhej të kryente shumë punë, thjesht nuk ka ekzistuar. 37 asamblistë presin për të marrë detyrën, por nuk kanë mundësi, sepse nuk ka KQZ për t’i emëruar ata. Një deputet po humbet mandatin në mungesë të KQZ-së. Është paralizuar funksionimi i brendshëm i sekretariatit të KQZ-së, sepse Presidenti nuk i ka emëruar anëtarët, të cilët duhet të marrin vendime për punën e këtij institucioni.

Nga bllokimi i KQZ-së, 13 subjekte politike janë privuar nga fondi shtetëror që ia garanton ligji. Pamundësimi i fondit për subjektet politike, është veçanërisht pengesë për opozitën, sepse opozita për aktivitetet e saja politike të vetmin burim të mbulimit të shpenzimeve e ka fondin shtetëror. Partitë në pushtet nuk e kanë këtë problem sepse po pasurohen përmes abuzimit. Andaj, presidenti Thaçi përmes bllokimit të KQZ-së po synon të pengojë në fakt angazhimin politik të dy subjekteve opozitare. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë