Duke hulumtuar nëpër arkiva, gazeta online ‘Kabllogrami’ ju sjell pikëpamjet ndër vite të presidentit Rugova lidhur me temën për ndarjen e Kosovës.
Lexoni se çka tha presidenti Rugova në intervistat dhe prononcimet për mediat prestigjioze ndërkombëtare ndër vite, kur u pyet për ndarjen e Kosovës: -Kategorik kundër ndarjes së Kosovës-, që katërcipërisht demantojnë spekulimet dhe tendencat për manipulime perfide të Hashim Thaçit.
Presidenti ende në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi i cili që nga vera e vitit të kaluar vazhdimisht po luan me tkurrjen e kufijve të Kosovës në favor të Serbisë, pas Maqedonisë ku ia fali 2.500 ha, Malit të Zi 8.300 ha (për ç’gjë mburrej para disa ditësh në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’), tash Serbisë don t’ia falë prej 10-15% të territorit të Kosovës.
Për manipulator dhe mashtrues ‘par-ekselanc’ vështirë se mund t’i gjendet shoku, dhe atë pa u skuqur fare në fytyrë, duke tentuar ta manipulojë opinionin, tash duke lansuar perfiditetin e rradhës, se kinse idenë për korrigjim të kufijve e ka marrë fillimisht nga presidenti historik Ibrahim Rugova.
Për t’ia lidhur kokën gënjeshtrës plot helm që lansoi, e ndërlidhë me një ish-eksponent të LDK-së, Nexhat Dacin, dhe një tjetër akoma në LDK, të cilit siç duket i ka humbur rruga në oborr, Lutfi Hazirit, i cili farsën e bashkangjitjes së Luginës me Kosovën e përkthen në vota elektorale nga të shpërngulurit e Luginës, që në territorin e Anamoravës fatkeqësisht janë shumë.
Nexhat Daci dhe Lutfi Haziri më mirë do të ishte që popullit autokton të Luginës t’ia shpjegonin se përkundër dëshirës së madhe të të gjithë shqiptarëve për t’ia bashkuar atë pjesë Kosovës, e tëra është një farsë e ndyrë, si manipulim për t’ia dhënë Serbisë, veriun e Kosovës, e për ta shpërlarë këtë tradhëti – jepen disa fshatra të Luginës, mbase, pa kurrëfarë rëndësie duke ia bashkangjitur Kosovës, nën farsën e shkëmbimit të territoreve. Në këtë rast, kjo vërtet do ta fragmentonte (copëtonte) Luginën përfundimisht. Popullit në Luginë, duhet t’i tregohet drejtë se Serbia s’lejon kurrë pa luftë t’ia japë Kosovës, krejt Luginën e Preshevës.
Më e mira dhe më lehtë e realizueshme, pa ju lënë probleme gjeneratave të ardhshme, do të ishte që të njihen kufijtë aktualë dhe që të drejtat e grupeve etnike serbe në Kosovë, respektivisht shqiptare në Serbi, t’i nënshtroheshin reciprocitetit të plotë. Dhe kjo me siguri do të ishte në përputhje të plotë me vlerat evropiane dhe do t’i përshpejtonte edhe integrimet drejt BE-së për të dy shtetet.
Thaçi në stilin e tij duke lozur lojën e gjarprit, ka thënë që Serbia pretendon ndarjen, por që ideja e tij paska qenë vetëm bashkëngjitja e Luginës me Republikën e Kosovës! Nëse qenka ashtu, Thaçin duhet pyetur, pse punove aq shumë që veriu i Kosovës të jetë gati i pastruar etnikisht nga shqiptarët tash e 20 vite? Ke mundur temën e veriut ta mbyllësh një herë e mirë, e energjitë t’i koncentrosh në avansimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës, të cilët po diskriminohen egërsisht sidomos këto 20 vitet pas çlirimit të Kosovës. Derisa presidentit aktual iu kujtuan ata vetëm sa për t’i hedhur sy popullit duke tentuar ta legjitimojë tradhëtinë kombëtare me farsën “për shkëmbim të territoreve”.
Në tryezën e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit, me temën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, si me porosi apriori të aranzhuar, pjesëtari i ‘Listës Serbe’ Nenad Rashiq ishte ai që pyeti presidentin e vendit rreth idesë së korrigjimit të kufirit me Serbinë.
“Ideja e kujt prej juve ka qenë ndarja, ose korrigjim, ose demarkacion të kufirit. A ka qenë ideja u juaj, ose ideja e Vuçiqit, ose e ndonjë pale tjetër që ka emër dhe mbiemër?”, ka pyetur Rashiq.
Me përgjigjen në xhep, nga skenari i përgaditur që para, Hashim Thaçi, pa fije turpi – duke tentuar t’i legjitimojë veprimet e tij kuislinge, tha se fillimisht ideja ishte e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.
“Prej presidentit Rugova në vitin ’94, pastaj prej profesorit Nexhat Daci, prej kryetarit të Gjilanit Lutfi Haziri. Ndërsa sa i përket ndarjes, natyrisht që Serbia ka pretendim ndarjen, por po të tregoj cila është ideja ime origjinale. Ideja ime origjinale është bashkëngjitja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Republikës së Kosovës. Kjo është ideja ime origjinale, që iu kam bashkangjitur presidentit Rugova, Dacit dhe kryetarit të Gjilanit”, e ka cituar KosovaPress deklaratën e Thaçit. Paturpësia e këtij pretendimi manipulues nuk do koment!
Që nga viti i kaluar, presidenti i Kosovës flet vazhdimisht për idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë, duke trumbetuar kompromisin për ndarje e shkëmbim territoresh, e duke thënë të pavërteta të skajshme e të pa bazuara se kinse Rankoviqi ja paska pas dhënë veriun Kosovës për t’ia marrë Luginën e Preshevës, prandaj duhet të bëjmë shkëmbim të territoreve me Serbinë. Këtij teli i bie edhe Lutfi Haziri.
Kjo ide është kundërshtuar nga i gjithë spektri politik në Kosovë, përveç Lutfi Hazirit të LDK-së, i cili publikisht ka deklaruar se Lugina duhet t’i bashkohet Republikës së Kosovës, derisa veriu t’i shkojë Serbisë. Ironia është se toka shqiptare janë këndej dhe andej. Për më tepër me këtë diskurs sikur përfundimisht është hequr dorë nga popullata tashmë pothuaj e asimiluar 300.000 banorëshe e Sanxhakut me shqiptarë autoktonë, një numër i të cilëve akoma shpreson në bashkangjitje me Kosovën dhe trungun shqiptar.
Deklarimet e sotme të presidentit Hashim Thaçi se “për idenë e korrigjimit të kufijve fillimisht ka dëgjuar nga ish-presidenti Ibrahim Rugova, pastaj nga ish-kreu i Kuvendit, Nexhat Daci, e më pas edhe nga Lufti Haziri, ka nxitur reagime të ashpra të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Fillimisht kishte reaguar shefi i Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti, i cili ka thënë që Thaçi nuk mund të shfrytëzojë Ibrahim Rugovën për të legjitimuar idetë e tij për ndarje të Kosovës.
“Presidenti aktual nuk mund të thirret në deklarimet e Presidentit Rugova për të përligjur aktet e veta kundërkushtetuese” ka shkruar Hoti. Ai ka sjellë një intervistë të presidentit Rugova të vitit 2004 dhënë “Zërit” ku në pyetjen: nëse liderët perëndimorë e përkrahin idenë e Serbisë për ndarje territoriale të Kosovës, Rugova ishte përgjigjur duke thënë “se ai nuk i përdor këto terma dhe se të tilla koncepte do të kthenin tensionet në Ballkan”.
Pas Hotit ka reaguar edhe deputetja e LDK’së, Vjosa Osmani, e cila ka sjellë një dokument, ku shihet se Ibrahim Rugova ishte betuar solemnisht me rastin e zgjedhjes president “se do ta ruajë e mbroj integritetin territorial të vendit tonë – Kosovës …”.
Sipas Osmanit ata që dëshirojnë ndarjen e Kosovës nuk mund të gjejnë mbështetje tek idetë dhe veprimet e Ibrahim Rugovës.
Duke hulumtuar nëpër arkiva, gazeta online ‘Kabllogrami’ ka gjetur disa pikëpamje të presidentit Ibrahim Rugova lidhur me këtë temë, në shkrimet dhe intervistat dhënë për mediat e huaja prestigjioze që katërcipërisht demantojnë manipulimet e ndyra të Thaçit.
Në një shkrim të “Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ)” që mban datën e 23 prillit 2003, të autorit Michael Martens, ku në nëntitull citohet Rugova: “Ne do të kemi shtetin tonë, me gjithë refuzimin e Beogradit”, në pyetjen për federalizimin apo ndarjen e Kosovës, Rugova mundësitë e tilla i hudh poshtë kategorikisht. Në vazhdim pasi gazetari i FAZ e tëhollon pyetjen, Rugova përgjigjet: “Një propozim i tillë, i cili është përfaqësuar publikisht nga Gjingjiqi në muajt e fundit sa ishte gjallë, paraqet një përpjekje të Beogradit për ‘të shkëputur një pjesë të Kosovës’“. Derisa Rugova në fund përgjigjet decidivisht: “Ky është një vend i vogël (Kosova) për t’u ndarë apo për t’u federalizuar“. Krejt në fund ky shkrim përfundon me një citim të Rugovës: ‘“Duhet të punojmë që Mitrovicën dhe komunat veriore t’i integrojmë sërish. UNMIK-u dhe KFOR-i duhet të veprojnë më ashpër dhe në bashkëpunim me ne për t’i ndalur ekstremistët serbë, të cilët operojnë atje. Beogradi nuk dëshiron t’ë ndalë ata”, tha Rugova duke komentuar situatën (FAZ)’.
Në një shkrim tjetër të “Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ)” që mban datën e 23 janarit 2006, që do të thotë, disa ditë pas vdekjes së Rugovës thuhet: “Për kompromise Rugova as që donte të dëgjonte, sepse, sipas tij, pavarësia është kompromis, sepse kështu Kosova heq dorë nga mundësia e bashkimit me Shqipërinë”. Në po këtë shkrim, thuhej edhe: “Për Rugovën shpesh thuhej (nga të huajt) se ishte kryeneç, ndryshe nga rivalët e tij Thaçi e Haradinaj, të cilët janë dukshëm më fleksibël”.
Në një intervistë për Tageszeitung (TAZ) nga Berlini, me gazetarin Erich Rathfelder, të realizuar më 23 Tetor 1993 në Prishtinë, titulli i intervistës është “KOSOVA ЁSHTЁ E PANDASHME”, që demanton gënjeshtrat e manipulimet e Thaçit të nxjerra me karakter spekulativ nga konteksti me ndihmën e këshilltarit të tij Blerim Shalës, se në vitin 1994 Rugova paska pas avokuar prekjen e kufijve dhe ndarjen e Kosovës.
Në pyetjen e gazetarit të TAZ se: Ndarja e Kosovës është diskutuar së fundi në revistat serbe “Vreme” dhe “Borba”. Duket se ka synime serioze në këtë drejtim!?, Rugova përgjigjet (23 tetor 1993): “Ndarja e Kosovës është një ide e vjetër serbe, por pas Luftës së Dytë Botërore ata e futën me dhunë mbarë Kosovës nën kontrollin e tyre“. Në vazhdim të kësaj përgjigjeje Rugova pyet me cinizëm: “Tash kjo ide e vjetër na qenkësh kompromisi i ri” dhe përfundon krejt intervista me një konstatim kategorik të presidentit Rugova: “Jo, Kosova është e pandashme”.
Krejt në fund për t’i mos i lodhur lexuesit me fakte notore dhe faktografi historike, por me bindje që kaq mjaftojnë për t’i demantuar dhe hedhur poshtë manipulimet perfide dhe me tendenca të tradhëtisë kombëtare nga kuislingu Thaçi me do ‘llaskucë’ tjerë që i pështillen rreth këmbëve, po e shkëpusim një pjesë të intervistës së presidentit Rugova, dhënë gazetës së njohur gjermane “Der Spiegel” të botuar më 8 qershor 1992, kur është pyetur për propozimet për ndarje të Kosovës. SPIEGEL (pyetja e shtatë me rradhë): Në qarqet intelektuale serbe po mendohet për propozimin për ndarjen e Kosovës mes serbëve dhe shqiptarëve. RUGOVA: “… serbët me këtë “ndarje” kërkojnë…ato territore, të cilat janë të pasura me pasuri nëntokësore. Neve do të na mbesnin territoret pa vlerë. Këtë lojë nuk e luajmë.” /©Kabllogrami/
Burimet nga intervistat dhe prononcimet e presidentit Rugova për mediat e huaja janë marrë nga vepra: “Veç pavarësi asgjë më pak” – Ibrahim Rugova në shtypin gjermanofon (1989-2006), përzgjedhur dhe përkthyer nga Enver Robelli, botues ‘Koha’ 2015.