LVV reagon për rastin e keqpërdorimit seksual të një të miture në Drenas

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar në lidhje me rastin e keqpërdorimit seksual të një të miture në Drenas, fillimisht nga një profesor e më pas nga një polic. Përfitimi i ndyrë i zyrtarit policor nga raportimi i krimit, po aq i rëndë sa vetë dhunimi.

Sipas Vetëvendosjes, në shoqërinë tonë hetime zhvillohen në formë aktive vetëm kur është fjala për persekutime politike. Lëvizja Vetëvendosje thotë se e mbështet protestën e thirrur për nesër në orën 12:00.

“Në rastet e ngacmimit, dhunimit dhe shfrytëzimit të gruas sa më të hetueshme që janë rastet aq pa hetuar mbesin. Denoncuesit përqeshen, madje deri në pikën sa hetuesi vetë, polici, gjen hapësirën për t’u shndërruar në dhunues dhe shfrytëzues – sikur në rastin e mbrëmshëm ku u kuptua që për një vit të tërë u shfrytëzua seksualisht një e mitur 16 vjeçare nga Drenasi”, thuhet në reagimin e VV-së.

Vetëvendosje shtron pyetjen se “për çfarë shteti mund të flitet, kur policët që zënë me drogë djalin e Shefit të AKI-së suspendohen, ndërsa policët që dhunojnë dhe shfrytëzojnë seksualisht të miturën dekorohen?”.

“Iu bëjmë thirrje organeve të drejtësisë të merren seriozisht me rastin në mënyrë që kjo tragjedi mos ndiqet nga skandali i lirimit të dhunuesit në fjalë, siç edhe ndodh zakonisht. Rastet e tilla janë të shpeshta, ku me raportimin bëhet shaka. Kjo gjendje është e patolerueshme më. Përçmimi që institucionet shtetërore i bëjnë rasteve të raportuara të dhunimit është po aq i rëndë sa vetë dhunimi”, thuhet në njoftim. “Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet protestën e ditës së nesërme në ora 12:00 para stacionit kryesor të Policisë në Prishtinë dhe marshin protestues në Drenas para policisë ditën e premte në ora 12:00”, thuhet tutje në reagimin e LVV-së. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë