Madeleine Albright vjen në Kosovë për të festuar ditën e ҫlirimit

E quajtur ‘Zonja e hekurt’, Madeleine Albright ish – Sekretarja e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 12 qershor do ta vizitojë Kosovën. Këtë vizitë, Albright po e bënë në nder të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO’së në Kosovë. Ajo të mërkurën pritet që të mbajë fjalim në Tubimin Qendror.

“Më 12 qershor 2019 Kosova shënon 20 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-së. Ne jemi duke shënuar këtë përvjetor historik të Kosovës bashkë me miqtë dhe aleatët tonë me të cilët ndajmë vlerat e paqes, lirisë dhe demokracisë. Njëkohësisht, ne po nderojmë të kaluarën tonë dhe vizionin tonë për paqe të qëndrueshme”, thuhet në njoftimin e Këshillit Organizativ për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë.

E ish-sekretarja e shtetit Madeleine Albright kohë më parë kishte deklaruar se ndihma që ka dhënë për popullin shqiptar të Kosovës është e arritura më e madhe e saj gjatë kohës sa ishte sekretare Shteti.

“Ndonëse na ndanë oqeani, Kosovën dhe popullin e saj e kam gjithnjë në mendje. Sa herë më pyesin se cila është e arritura ime si Sekretare e Shtetit me të cilën krenohem më së shumti, them se është ndihma që i dhashë popullit të Kosovës. Gjatë këtyre 10 viteve kam qenë krenare për hapat që i ka ndërmarrë Kosova drejt stabilitetit më të madh, përparimit dhe integrimit në bashkësinë Euro-Atlantike”, kishte thënë Albright në urimin  e saj për 10- vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Sipas këshillit, tubimi qendror do të mbahet në sheshin “Skëndërbeu”, duke filluar nga ora 11:00. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë