Mbledhja e CEFTA sot nё Prishtinё: Serbia vazhdon politikёn e Millosheviqit, pa ja hjekur asnjё presje

Ka dështuar mbledhja e sotshme e Komitetit të CEFTA-s, që duhej të mbahej në Prishtinë, pasi delegacioni i Kosovës ka kundërshtuar që mbledhjen ta kryesojë përfaqësuesi i UNMIK-ut, siç ka insistuar delegacioni i Serbisë, dhe më pas e ka braktisur mbledhjen, sikundër edhe delegacioni i Shqipërisë, bёn tё ditur Kabllogrami

Menjёherё, si me skenar, Qeveria e Serbisë, ka lëshuar një komunikatë me njё rafal akuzash, me të cilën po e ‘akuzojka për obstruksion’ Republikёn e Kosovës dhe për vendosjen e taksës ndaj mallrave serbe e boshnjake, komunikatё tё cilën e transmetojnë mediat në Serbi.

Aty thuhet se me gjithë tensionet e larta në raportet midis Beogradit e Prishtinës, përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Serbisë ishin të pranishëm në mbledhjen e rregullt të Komitetit të përbashkët të CEFTA-s në Prishtinë, për të dërguar kështu edhe një herë mesazhin e paqes dhe të tolerancës dhe për të demonstruar vullnetin e mirë që në mënyrë konstruktive të përpiqen të merren vesh dhe të zgjidhin çështjen e vendosjes së taksës nga ana e, siç e quan Beogradi zyrtar Republikën e Kosovës, Institucioneve të përkohshme të qeverisjes në Prishtinë, duke respektuar mekanizmin dhe procedurat e CEFTA-s, transmeton Koha.net.

“Serbia ka pranuar që mbledhjen ta hapin bashkërisht UNMIK-u dhe Institucionet e përkohshme të qeverisjes në Prishtinë, me gjithë faktin se kryesues i mbledhjes mund të jetë vetëm UNMIK-u si kryesues i Marrëveshjes së CEFTA-s më 2018, që është në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të KS të OKB”, thuhet në komunikatë.

Përfaqësuesi i Serbisë në fillim të mbledhjes edhe njëherë ka përsëritur se pret që Prishtina menjëherë të tërheqë masat radikale, të kundërligjshme dhe diskriminuese nga 6 e 21 nëntori, që e shkelin drejtpërdrejt Marrëveshjen CEFTA dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, vazhdon teksti i komunikatës.

Gjithnjë sipas komunikatës, “menjëherë pas fjalës së përfaqësuesit të Qeverisë së Republikës së Serbisë, mbledhjen e braktisin përfaqësuesit e Institucioneve të përkohshme të qeverisjes të Prishtinës, pastaj mbledhjen vazhdoi ta kryesojë UNMIK-u, por atëherë mbledhjen e lëshon edhe delegacioni i Shqipërisë, dhe kështu s’ka kuorum për të vazhduar mbledhja”.

“Duke braktisur mbledhjen që të dy delegacionet drejtpërdrejt sabotuan përpjekjen që me rrugë paqësore të arrihet marrëveshja për zgjidhjen e problemit”, shton komunikata qeveritare e Serbisë.

Në komunikatë theksohet se Serbia sërish “paska” demonstruar qasje konstruktive, që me dialog dhe me bisedime në mënyrë paqësore të zgjidhet ky problem, por ka ndeshur në obstruksion të palës tjetër.

Menjëherë pas përfundimit të mbledhjes, përfaqësuesit e Serbisë për shkak të, siç raportojnë mediat serbe, rrezikut të sigurisë kanë lëshuar Prishtinën të përcjellë nga UNMIK-u dhe KFOR-i dhe kanë udhëtuar në drejtim të Serbisë. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë