Media – subjekt i manipulimit të ndërgjegjes apo i lartësimit të saj?!

Nga Avni Azizi

– Njohja e realitetit është bërë shumë e vështirë për shkak të vërshimit të rrjedhës së
informacionit të shtrembëruar. Paradigma e mjerueshme e medies sonë vazhdon të trullosë
opinionin me vogëlsira, intimitete, dhe gjëra të pa rëndësishme. Kur seksi bëhet top – temë
atëherë, sikur fashitet ndjenja e gjithçkaje, madje edhe vet lirisë, për të cilën dhanë jetën mijëra
dëshmorë e dëshmore të kombit.

Në shoqërinë e informacionit të zhvilluar, pa mëdyshje një rolë të rëndësishëm mund ta
konsiderojmë edhe funksionimin dhe veprimin kryesor të medies. Duke analizuar mediet dhe
ndikimin e tyre tek publiku, para së gjithash duhet theksuar se roli i tyre në shoqërinë moderne është
shumë i rëndësishëm. Kur flasim për mediet, kemi një ide rreth komunikimit njerëzor të ushtrimit të
informacionit masiv si dhe në ndikimin në ndërgjegjen publike.

Puna dhe veprimtaria e medieve mund të strukturohet në mënyrë të tillë që të ndikojë
kryesisht në mendimin e audiencës, duke formuar apo edhe keq formuar atë, si dhe njëkohësisht të
jep informacione të gjerë për publikun. Në sistemin e medies, këtu nënkuptojmë si: botime të
shtypura, gazeta, revista, radio, televizion, internet, madje edhe telefon, kinema, shtëpi filmike e
muzikore etj. Të gjitha këto, në parim kanë efektin e sforcuar të ndikimit në publikun e gjerë.
Varësisht nga zbatimi i rendit shoqërore, dhe kultura dhe funksionaliteti i tyre ato mund të quhen
edhe prezantueset e një shoqërie.

Aktualisht tregu i medieve është i mbingarkuar dhe nuk ka një matje reale të tij, shpesh
arsyeja është e thjeshtë ngase lojtarët në treg nuk sillen sipas rregullave të funksionit të rëndësishëm
që duhet luajtur media. Si pasojë e kësaj nuk do hamendje se sot, kemi një mungesë totale të
transparencës mbi financimin e shumicës së medies shqipe nga njëra anë, dhe në anën tjetër, dihet
se shumica e medieve tona vetëquhen të pavarura, por me punën dhe informimin e tyre tregojnë të
kundërtën. Madje krijohet përshtypje se janë shumë dhe shumë të varura.

Mediet tona, sidomos ato që vetëquhen të pavarura dhe informative, më shumë janë
zëdhënëse të interesave të ndryshme sesa në shërbim të qytetarit. Interpretimi i një ideje
programore do të ishte i logjikshëm vetëm për shtypin partiak, por për një medium të proklamuar si i
pavarur dhe informativ, kjo është e patolerueshme.

Është e kuptueshme se fjalët janë forcë e pavarur shoqërore. Fjalët ashtu siç frymëzojnë dhe
vrasin. Me ndihmën e fjalës publike, lehtësisht ushtron tek njerëzit ndikimin në ndër dijen e tij, në
ideologjinë, durimin, moralin dhe natyrën fisnike, por edhe ekzaltimin e lartë.

Fjala e shenjtë publike dhe pesha e saj

Fjala publike sot, është e mjeruar, e katandisur në arrogancë dhe frustrim. E vrarë dhe e
poshtëruar deri në amoralitet. Është krijuar një standard tepër i ulët madje që shkon deri në cinizëm.
Dhe çka mund të pritet nga media jonë kur vet procesi i mbledhjes dhe i editimit të informatave apo
edhe përzgjedhja e tyre, gati shpeshherë apo edhe çdo herë bëhet e veshur me njëanshmërie të
mendimit, “Standardit” politik, gjuhësorë…

Grotesku i pasqyrimit realitetit të opinionit apo edhe opsionit politik, ngritja e tij në nivel
dominimi, nuk mund të shihet ndryshe pos si filozofi e mjerimit dhe e veseve e ceneve tona për të
qenë shërbyes të gjithkujt, por jo edhe të kauzës së përbashkët të ngritjes së vetëdijes kulturore e
kombëtare. Objektiviteti i medies sonë në këto rrethana duket të jetë mjaft patetik. I pa fokusuar në
thelbin e çështjeve, në Informatën e drejtë. Media jonë sot, shihet shumë e dallgëzuar nga
meskiniteti, mediokriteti dhe ndjenja e përfitimit sesa nga domosdoshmëria e sqarimit të drejtë të
opinionit dhe krijimit të një vetëdije të lartë të tij.

Mungesa e guximit dhe indiferenca për t’i shprehur drejt pengesat dhe vlimet, me të cilat
përballemi, jo rrallë kapin dimensione të një propagande të neveritshme, kjo qasje si e tillë është
vetëm censurë e stërkeqe dhe degradimi më poshtërues që mund ti bëhet synimeve të larta, çfarë
duhet ti ketë një shoqëri e shëndoshë.

Nëse mediet nuk e kryejnë misionin fisnik që kanë, atëherë ato pa mëdyshje që do të jenë
bashkëfajtore e të gjitha të këqijave që mund të ndodhin. Mënjanimi i këtyre klisheve është më se i
domosdoshëm për një media të lirë dhe demokratike.

Njohja e realitetit është bërë shumë e vështirë për shkak të vërshimit të rrjedhës së informacionit
të shtrembëruar. Paradigma e mjerueshme e medies sonë vazhdon të trullosë opinionin me
vogëlsira, intimitete, dhe gjëra të pa rëndësishme. Kur seksi bëhet top – temë atëherë, sikur fashitet
ndjenja e gjithçkaje madje edhe vet lirisë, për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e dëshmore të
kombit.

Me këto “xhevahire” që dikush po mëton ti emëroj si të arritura… Ashtu, sikur fjolla dëbore, sikur
po shkrihen konceptet e së vërtetës, drejtësisë, ndershmërisë dhe këto virtyte të larta të skalitura aq
dinjitetshëm në jetët e të parëve tanë, sikur kanë humbur kuptimin dhe domethënien e tyre
origjinale.

Dhunimi i së bukurës shpirtërore dhe fjalës

Turmat jo zhvilluese, kastat servile, me vetë censurë e mos guxim, janë një lloj ultra helmimi me
fuqi të madhe çorientuese, ashtu, si prirja për t’i shërbyer klaneve politike, oligarkisë analfabete e cila
aq bukur është rreshtuar në ndërtimin e mirëqenies personale. Ky plim në rrethin miklues mes
gazetarisë dhe politikës, shpesh, në vend të informimit, ata më shumë dezinformojnë, në vend të
pasqyrimit të njëmendtë të realitetit ato e shtrembërojnë atë, në vend të vlerave, ato u japin
hapësirë jo vlerave…

Duket se media jonë posedon vetëm afinitet e prirje për t’i shtrembëruar gjërat, për të mos i
dhënë ato siç janë e siç duhet. Redaktorët e tyre skematikë, duke mos i dhënë rëndësi informimit të
drejtë të opinionit dhe duke qenë besnikë deri në fund të shijeve të patronëve të tyre, editojnë
informatën (me apo pa qëllim) të cunguar të varfër.

Në këtë zallahi, arroganca e shpërthimit të së keqes nuk ka ligje a rregulla. Kreatorët e tyre
ambiciozë prodhojnë opinione dhe ndjenja refuzuese. Nëpër mediet tona shpesh shohim, dëgjojmë
dhe lexojmë valorizime të gënjeshtrave, paqartësi, premtime boshe, indiferencë e margjinalizim e
deri tek përçarjet e ashpra…Derivatet e tilla fejsbukohen për t’u shitur si lajm, si ndodhi…

Në anën tjetër, gazetaria dhe gazetari ynë ende nuk ka arritur të lirohet nga logjika e shërbyesit
dhe e lavdëruesit të tepruar, pa tone kritike. Këtu vlen të theksohet se brezi i ri, vazhdojnë të
margjinalizohen, të kushtëzohen… Dhunimi i së bukurës shpirtërore dhe fjalës… Manipulimi i
ndërgjegjes qytetare bëhet me qëllim për të shkaktuar frikë dhe ankth dhe mos perspektivë tek
njerëzit, andaj si rrjedhojë e kësaj sikur kemi krijimin e një “tufe të bindur” dhe të programuar.

Në pjesën më të madhe pasuria përmbajtjesore e medies sonë përqendrohet në fjalë dhe
shprehje të tilla si: mosmarrëveshje, akuza, përplasje, debate (jo diskutime), shmangie, manipulime,
dhe duke intensifikuar fjalorin, zgjerohen edhe si: vrasje (e dyfishtë), gjak, dhunë, sëpatë, litar, thikë,
a nuk është ky një fjalor i tipit horor… që e dëgjojmë gati çdo ditë!

Shoqëria shqiptare është thellësisht e politizuar. Edhe këtu televizioni ka luajtur rolin e vet
negativ. Të gjitha televizionet, sipas krahëve mbështetës të politikës, e kanë “mbytur” shikuesin me
debate politike, jo rrallë të degjeneruar edhe deri e deri në dhunë verbale e fizike.

Mediet në shërbim të informimit dhe lartësimit të vlerave

Nga ana tjetër, në epokën e sotme, televizionet mund dhe duhet t’i hapin rrugë programeve
që paraprijnë përgatitjen e shoqërisë për të ardhmen. Me fjalë të tjera, programet duhen bërë “të
thjeshta”, për të tërhequr një audiencë të madhe, ato nuk kanë nevojë për t’i shtuar “seksin”,
vulgaren, dhunën për t’u bërë më të shkueshme.

Sigurisht që në këto raste shikueshmëria mund të rritet, pasi kuptimi i këtyre gjërave nuk ka
nevojë as për inteligjencë e as për “lodhje” mendje. Por pasoja është e pashmangshme: krijimi i
modeleve banale, madje shpesh, më se vulgare mes njerëzve! Dhe ky nuk mund të jetë misioni i një
televizioni?!

Askush nuk ka të drejtën t’u kërkojë këtyre televizioneve më shumë programe kulturore,
shkencore, edukative etj. Por ama, si konsumues të tyre, kemi të drejtën t’u kërkojmë më shumë
kulturë brenda atyre emisioneve… Të sillesh si qytetar në një emision, është minimalja që i kërkohet
këtij mjeti me rezonancë masive! Në një shoqëri jo fort të zhvilluar si e jona, në një shoqëri ku niveli i
aftësive personale përthithëse nuk është në lartësinë e duhur, roli i Televizionit merr një ngarkesë të
madhe sociale.

Pastaj, kemi një “lojë të turpshme” me emrat e atyre që nuk janë më në mesin tonë, qofshin
ata heronj, dëshmorë, viktima, të vrarë… Kur dhuna, krimi dhe e keqja prezantohet në medien tonë,
këtu nuk mund të flitet për tjetër pos, mungesës së plotë shpirtërore, imoralitetit, dhe kjo nuk duhet
harruar se reflekton edhe tek vetëdija, tek shoqëria…tek edukimi… Andaj, duhet theksuar, pa dashur
të biem në prehrin e pesimizmit se një pjesë e medies sonë, nuk mëton të zgjedh mjete e metoda në
poshtërsitë e tyre, në mashtrim, cinizëm, demagogji, hipokrizia, imoralitetit…

Nga kjo anë e errët e pjesës së medies sonë, njerëzit janë të privuar nga mundësia për të
menduar për veten e tyre. Ndaj tyre çdo ditë manipulohet me vetëdijen dhe mundësitë e vlerësimit
të drejtë të ngjarjeve. Askush nuk qanë kokën për të futur programet e nevojshme të sjelljes,
edukimit, kulturës dhe qytetarisë së drejtë dhe të shëndoshë në mendimet dhe kokën e tyre…

Shtypi i lirë dhe respektimi i mbrojtjes së të drejtës së informimit, dihet se mbrohet edhe me
Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut, mirëpo sa respektohen në mediet tona këto të drejta,
është çështje në vete.

Po ashtu, edhe në fushën profesionale, si në atë gjuhësore, programore dhe edukative, në
masmedian tonë nuk është arritur ndonjë nivel i kënaqshëm e premtues. Për shembull. mediet tona
ende udhëhiqen nga diletantë dhe njerëz pseudo-krijues. Kështu, ata në mungesë novatorizmi,
mbysin shijet e lexuesve, shikuesve dhe me shkrime e programe konfuze, stereotipi të shabllonizuar,
me gjuhë të trashë e të bastarduar që është për turp, dhe me prirje për edukim të mbrapsht.

Roli i masmedias për informimin e drejtë të qytetarëve do të nevojitej që në rend të parë të
jepte fotografinë e vërtetë të realitetit, ekuilibrimin e pa anuar të ideve, qofshin ato politike,
kulturore, sportive etj. Ato pa mëdyshje se duhet t’u shmangen materialeve të paverifikuara dhe të
pa konspektuara sa duhet, të jenë sa më gjithëpërfshirëse. Vetëm kështu mediet tona do të jenë në
shërbim të informimit të qytetarit dhe për qytetarin dhe lartësimin e vlerave kulturore e kombëtare
të tij.

Në shumë shoqëri, media është subjekt i manipulimit të ndërgjegjes shoqërore. Kështu duke
manipuluar dhe duke futur ide, imazhe, stereotipa atë i bën objekt të padukshëm të ndikimit. Të
ndryshimit të qëndrimeve drejt rezultateve negative apo pozitive. Manipulimi me ndërgjegjen
përjashton përdorimin e forcës, por në mënyrë të ngadaltë dhe të sigurt ushtron presion dhe ndikim
psikologjik ndaj një personi apo shoqërie. Media jonë duhet të jetë e prirë drejt lartësimit të
ndërgjegjes masive në nivelet e saj emocionale e racionale dhe kurrësesi kontribuuese e pavetëdijes
kolektive…/©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë