‘Telekomi-Vala’ e lindi jashtligjshëm “Z-Mobilen”, e kjo e fundit tash po e mbyt ‘nënën Vala’   

Telekomi i Kosovës rrezikon bllokimin e llogarive bankare nëse brenda shtatë ditëve nuk e paguan borxhin ndaj kompanisë “Z-Mobile” në vlerë prej 25 milionë eurosh. Kjo kompani një ditë më parë ka dërguar urdhrin për përmbarim të këtij borxhi, bazuar në vendimin e Arbitrazhit për shkëputje të njëanshme të kontratës me Telekomin, e i cili është njohur nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Punëtorët e Telekomit me sindikatën e tyre janë tejet të indinjuar me këto lojëra të ndyra që sipas tyre po i bënë Z-mobile me disa struktura kriminale në krye të pushtetit, për ta ҫuar kështu në falimentim Telekomin e Kosovës. Sindikata ka paralajmëruar greva të punëtorëve dhe eskalim të situatës nëse qeveria nuk e stopon Z-mobilen në këso veprime kriminale të tyre ndaj Telekomit që si synim përfundimtar kanë falimentimin dhe shkatërrimin e tij.

Në vendimin për urdhër përmbarimor thuhet se në rast të mospagesës së këtij borxhi nga Telekomi, do të caktohet përmbarim i dhunshëm, që nënkupton bllokimin e llogarive bankare, e në rast se nuk ka mjete të mjaftueshme për shlyerjen e këtij borxhi, përmbarimi ekzekutohet edhe nga shitja e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të Telekomit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Më 26 prill të këtij viti “Dardafoni”, i njohur si “Z-Mobile”, ia kishte dërguar një letër zyrtare Telekomit, duke kërkuar që në afat brenda dy javësh të kryhej borxhi, në të kundërtën do të fillojnë procedurat përmbarimore.

Telekomi ka thënë se në gjendjen në të cilën ndodhet gjasat janë minimale për të kryer një transaksion të kësaj vlere. Ka paralajmëruar se do të ndjekë të gjitha rrugët dhe mjetet ligjore që të prapësohet ky propozim përmbarimi. Lidhur me këtë vendim është njoftuar edhe Qeveria si aksionare e Telekomit. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë