SHBA-ja kërkon pezullimin e menjëhershëm të taksës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk shohin ndonjë përfitim të Kosovës nga vendosja e taksës prej 100% për mallrat serbe. Shteti që synon t’i japë vulë marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, nëpërmjet përfaqësisë diplomatike në Prishtinë, ka kërkuar nga Qeveria pezullimin e vendimit për taksën, në mënyrë që t’i jepet shans arritjes së marrëveshjes.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka listuar dy interesat thelbësore në fazën e ardhshme, për të cilat kanë thënë se duhet të jenë prioritet për Kosovën, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar prej lidershipit të Kosovës në mënyrë të përsëritur që të pezullojë menjëherë taksën për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Siç kemi thënë, ne nuk shohim ndonjë përfitim të Kosovës nga këto masa. Ne fuqishëm inkurajojmë ripërtëritjen e fokusimit në qëllimet thelbësore të Kosovës- të ardhmen evropiane dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane, dërguar “Kohës Ditore”, përcjell Kabllogrami.

Gazeta ka pyetur edhe rreth përgatitjeve që po bëhen për arritjen e marrëveshjes, pas takimit të paraportuar mes presidentit Thaçi dhe ambasadorit amerikan në Berlin, Richard Grenell, njëri nga më të besuarit e Trumpit. Por, ka munguar përgjigjja e tyre lidhur me këtë pyetje. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë