Vazhdojnë protestat gjithandej në Francë
Dhjetëra vetë janë arrestuar, ndërsa zyrtarët kanë thënë se do të reagojnë ndaj dhunës që ka shoqëruar këto demonstrime që nga nëntori. Marshimet e jelekëverdhëve nisën qetësisht nën një prani të madhe të forcave të rendit, me 80 mijë oficerë të dislokuar në të gjithë vendin. Ata këndonin Marsejezën, himnin kombëtar, dhe mbanin në duar pankarta të shumta të karakterit social, transmeton Kabllogrami.
Protestuesit u përleshën me policinë sot, të shtunën në Paris dhe qytete të tjera të Francës, ndërsa me mijëra vetë dolën nëpër rrugë në fundjavën e nëntë të zemërimit ndaj Presidentit Emmanuel Macron.
Por, dhjetëra protestues u përfshinë në përleshje me policinë pranë Harkut të Triumfit në Paris, çka çoi në përdorimin e gazit lotsjellës dhe ujit me presion, ndërsa forcat e sigurisë i penguan marshuesit të hynin në Champs Elysees.
Rreth 60 vetë janë arrestuar në Paris, tha policia, bashkë me dhjetëra të tjerë të ndaluar në qytetet e tjera të vendit. Sipas Ministrisë së Brendshme kishte rreth 32 mijë protestues në të gjithë vendin dhe 8 mijë vetëm në Paris. Një javë më parë, shifra e zyrtarëve ishte 26 mijë. Derisa protestuesit thonë se ishin dhjetë fish më shumë se që deklaroi policia.
Lëvizja e jelekëverdhëve, që nisi si një protestë ndaj çmimit të lartë të karburantit, është shndërruar në një reagim të fortë refuzimi ndaj Macron dhe politikave të tij, që mendohet se favorizojnë të pasurit në kurriz të punëtorëve. /©Kabllogrami/