Von Cramon: Shkëmbimi i territoreve është një ide shumë e keqe dhe nuk duhet lejuar kurrë në asnjë formë

Deputetja e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon-Taubadel e ka shprehur kundërshtimin e saj të fortë për idenë e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, por shprehet në favor të idesë për më shumë pushtet lokal për komunat që kanë shumicë serbe në Kosovë si një kompromis eventual midis të dy vendeve, transmeton Gazeta Online Kabllogrami.

Në një intervistë me agjencinë e lajmeve “dtt-net.com”, Viola von Cramon-Taubadel ka shprehur skepticizëm se me qeverinë aktuale në SHBA të presidentit Donald Trump mund të arrihet një marrëveshje afatgjate stabiliteti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Von Cramon në këtë kontekst tha se e shumëpërfolura ide e shkëmbimit të territoreve është “një ide shumë e keqe dhe se ajo nuk duhet të ndodhë kurrë në asnjë formë”.

“Ne kemi dëgjuar thashetheme shqetësuese se ideja e shkëmbimit të tokës është në tryezë, por shpresoj se ajo nuk do të shfaqet kurrë. Shkëmbimi i territoreve nuk është një zgjidhje, për të cilën ia vlen të flitet” ka thënë Von Cramon.

“Unë duhet të jem e qartë për këtë: një shkëmbim territoresh është një ide shumë e keqe, nuk duhet të ndodhë kurrë në asnjë formë. Ajo nuk do të zgjidhte asnjërin prej problemeve, nuk është as ajo që dëshirojnë vendasit dhe do të ishte një shembull, me të vërtetë i keq” është shprehur kategorike Von Cramon, përcjell Portali Kabllogrami.

Gjermania, por edhe një numër i madh i shteteve anëtare të BE-së dhe Britania e Madhe janë shprehur hapur kundër idesë së shkëmbimit të territoreve, sepse frikohen se ajo do të destabilizonte tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor e do të shkaktonte konflikte të reja.

Por, sipas Von Cramon-Taubadel, ideja e më shumë kompetencave për komunat që kanë shumicën me pakicën serbe është një opsion që duhet të merret parasysh.

Shumëkush në Kosovë frikohet se AKS-ja, edhe pse me emërtim tjetër, do të ishte një lloj modeli i kamufluar i entitetit serb, që do të instalohej gradualisht në Kosovë dhe do të krijonte ndarje territoriale e administrative të brendshme në Kosovë e do ta bënte Kosovën një shtet jofunksional në baza etnike, ashtu siç edhe po përballet Bosnja.

Von Cramon-Traubadel thotë se më shumë pushtet ose kompetenca për komunat serbe nuk do duhet të jetë e njëjtë me entitetin serb në Bosnjë.

“Do të kishte kuptim të jepet më shumë pushtet për komunat (serbe), por patjetër që duhet të jetë pjesë e Kosovës si shtet. Unë nuk do ta krahasoja me Bosnjën, sepse situata atje është krejt ndryshe dhe ai sistem u krijua menjëherë pas luftës, dhe është mjaft e diskutueshme se sa mirë funksionon tani. Por një zgjidhje e qëndrueshme do të gjendet sipas hartimit të Planit të Ahtisaarit”, tha ajo për “dtt-net.com”.

Deputetja gjermane në PE, ndërkohë, është shprehur skeptike se me Donald Trumpin në pushtet do të mund të arrihej një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë në të mirë të stabilitetit në rajon.

“Qasjet nacionaliste ose izoluese nuk kanë sjellë asnjëherë stabilitet”, u përgjigj Von Cramon kur u pyet nëse ndryshimet eventuale të lidershipit në Shtëpinë e Bardhë, përkatësisht ardhja e një kandidati demokrat për president, do ta hidhte poshtë opsionin e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë dhe do të rivendoste bashkëpunim të frytshëm midis BE-së dhe SHBA-së. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë