Në shumicën e qyteteve të Serbisë qytetarët e partive të Vuçiqit e Daçiqit, janë “ngritur në këmbë” për ta pritur presidentin rus Vladimir Putin, duke vendosur transparentë me mbishkrime “Mirë se vini”. Mediat e pushtetit paralajmëruan se 100.000 qytetarë do të dalin në pritje të Putinit, por siç raportuan burimet e pavarura, vështirë se mund të ishin 20.000 qytetarë gjithsej, transmeton Kabllogrami.
Megjithatë e njëjta nuk është duke ndodhur në Vojvodinë, ku në vende të ndryshme si në Novi Sad, Zrenjanin, Kikindë, Baçka Petrovc, Vrbas, Beqej, Novi Beçej e Kovaçicë janë vendosur posterë në të cilët shkruan “Putin go home”, transmeton Telegrafi.
Organizata “Vojvodina e Re” në fund të nëntorit kishte vënë transparentë në sheshin e Novi Sadit me mbishkrimet “Sheshi i Republikës së Vojvodinës”.
E gjitha kjo kishte ndodhur vetëm një ditë pasi që presidenti serb Aleksandar Vuçiq kishte zbuluar shtatoren e Petar Karaxhorxheviq, me rastin e ditës kur Vojvodina 100 vite më parë iu bashkua Serbisë pas okupimit në Luftën e Parë Botërore.
Kurse disa ditë më vonë në vende të ndryshme të Vojvodinës u shfaq transparentë në të cilët shkruante “Pas 100 viteve edhe Hong Kong tha mirupafshim pushtuesve”. /©Kabllogrami/