Zyrtari amerikan David Hale kërkon vazhdimin e dialogut dhe ndaljen e provokimeve reciproke

Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështje Politike, David Hale, po qëndron në Beograd, derisa nesër pritet të zbarkojë në Prishtinë ku parashihet të takohet me krerët institucionalë. Zyrtari i lartë amerikan u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i ndalin provokimet dhe ta vazhdojnë dialogun. Hale ka kërkuar nga Kosova që të hiqet tarifa ndaj mallrave serbe.

Në një njoftim në Twitter të Ambasadës së SHBA-së në Beograd, thuhet se “Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për heqjen e tarifës, ndaljen e provokimeve të dyanshme dhe vazhdim të dialogut”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në stilin “Sërbocid” e ka quajtur vendim të papërgjegjshëm dhe kundër dialogut, miratimin e platformës dhe ka kërcënuar si në kohën e Millosheviqit, duke përmendur katastrofën, nëse Prishtina vazhdon me, siç ka thënë, veprime të papërgjegjshme.

“Ata që po e përkrahin Prishtinën dhe bëjnë sikur nuk e shohin se çka po ndërmerr, është mirë të mendojnë sa afër katastrofës jemi nëse vazhdojnë veprimet e tilla të papërgjegjshme të Prishtinës”, deklaroi Vuçiqi.

David Hale, në Beograd është takuar edhe me kryeministren Ana Bërnabiq dhe ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiq.

Nesër në Prishtinë, Hale pritet të flasë për çështjen e taksës ndaj mallrave serbe dhe vazhdimin e dialogut, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka kohë që kanë kërkuar pezullimin e taksës, për t’i hapur rrugë dialogut mes dy shteteve. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë