A e ke përnjëmend!? Jemi në qeshor, s’është 1 prilli! – Veseli thotë se ka liruar nga detyra zyrtarët e akuzuar për korrupsion të PDK-së

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka bërë të ditur se ka liruar nga detyra të gjithë të emëruarit politikë nga kjo parti që janë të akuzuar për korrupsion dhe nepotizëm.

Në një konferencë për media ai tha se ka larguar edhe ata që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Me këtë vendim të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, sot janë liruar nga detyra ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, zëvendësministri i FSK-së Agim Çeku dhe Nijazi Kryeziu, të cilët janë në procese gjyqësore.

“Në mandatin e ri si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kam përcaktuar prioritetet tona themelore – si parti moderne me profil demokratik e perëndimor. Në fillim të kësaj jave, unë jam zotuar se do të angazhohem fuqishëm në luftën kundër korrupsionit, nepotizmit dhe dukurive të neveritshme të abuzimit. Këtë po e presin qytetarët nga ne, sepse ata janë të ngopur me fjalë dhe duan të shohin veprime konkrete. Nuk ka opsion tjetër përveç se të veprojmë. Dhe, ne po vendosim një standard të ri të etikës”, ka thënë Veseli, duke ringjallur shpresë pozitive te qytetarët e Kosovës, të cilët po ikin me të madhe vendi, mu për shkak të këtyre dukurive që deri më sot i kanë krijuar dhe ndërtuar Thaҫi me Veselin.

“Së pari po fillojmë me veten, e pastaj këtë standard do ta shtrijmë në çdo segment. Sot, jam para jush, për të dëshmuar se jemi të vendosur në këtë betejë. Duke treguar përkushtimin tim dhe vizionin si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kam vendosur që: Të emëruarit politikë nga radhët e PDK-së në institucionet publike të Kosovës, të cilët kanë aktakuza që ndërlidhen me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion, ose nepotizëm, t’i lirojnë funksionet menjëherë”, ka thënë Veseli.

Ky është një vendim dhe premtim i mbajtur i liderit të PDK-së, Kadri Veseli, të cilin e ka paralajmëruar dy ditë më parë në Konventën festive të Partisë Demokratike të Kosovës, ku i siguroi të gjithë qytetarët se nuk do të lejoj që asnjë person me aktakuza për korrupsion të mbajnë pozita në Partinë Demokratike të Kosovës dhe në institucionet që udhëhiqen prej saj.

Kreu i PDK-së tha në konferencën me gazetarë se nepotizmi dhe korrupsioni janë rritur në vendin tonë të vogël dhe kjo duhet të ndryshojë me një luftë të pakompromis ndaj korrupsionit dhe nepotizimit.

“E vetmja mënyrë për të siguruar mundësi të barabarta dhe shpresë për një të ardhme më të mirë për gjeneratën e ardhshme të të rinjve është ta bëjmë një luftë pa kompromis kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Dhe, do ta përmbushim vizionin tonë për Kosovën me mundësi të barabarta për të gjithë, ekonomikisht të fortë dhe pa korrupsion”, tha Veseli.

Duhet thënë se kjo qasje e Veselit është inkurajuese dhe duhet përshëndetur, por gjithnjë me drojën se mos vallë është një nga rengjet e rradhës, për t’i hedhur sërish hi syve elektoratit në prag zgjedhjesh – të cilët janë të stërngopur me dukuri të tilla devijante që po e shkatërrojnë shtetin e ri pa e krijuar mirë, kuptohet bëhet fjalë për elektoratin e pakët të mbetur akoma në Kosovë që akoma s’kanë ikur si prej djallit nga Thaҫi e Veseli me shokë. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë