A mundet Britania ta anulojë Brexit-in!?

Një këshilltar i lartë i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë tha se Britania ka ende të drejtë të tërheqë vendimin për dalje nga Bashkimi Evropian, apo Brexit, në mënyrë të njëanshme, raporton REL, transmeton Kabllogrami

Zyrtari i lartë ligjor, Manuel Campos Sanchez-Bordona, i shpalli pikëpamjet e tij të martën, përpara se Parlamenti britanik të votojë më 11 dhjetor marrëveshjen për Brexit, që kryeministrja britanike, Theresa May, e ka arritur me BE-në.

Sanchez-Bordona është një nga 11 këshilltarët që japin mendime juridike në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë dhe gjykata zakonisht i ndjek këshillat e tyre.

Opinioni jo i detyrueshëm u dha pasi një grup i politikanëve skocezë e pyeti gjykatën nëse Britania e Madhe mund të anulojë Brexit-in pa pëlqimin e shteteve të tjera anëtare të BE-së.

Deklarata e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë thotë se Sanchez-Bordona ka propozuar që gjykata “të deklarojë se Artikulli 50 (i Traktatit të BE-së) e lejon tërheqjen e njëanshme të njoftimit për largim nga BE-ja”. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë