Adelheid Feilcke: Kosova me një vetëdije të re, BE pa kredibilitet

Ushtria ishte hapi tjetër i shkëputjes përfundimtare të Kosovës nga Serbia

– Nga Adelheid Feilcke –

Ajo që në dukje është ashpërsim i konfliktit, në fakt shënon vetëm hapin tjetër të shkëputjes përfundimtare të Kosovës nga Serbia. SHBA-ja dhe Rusia po pozicionohen. Po në këtë linjë edhe zhvillimet e fundit në Kosovë janë një simptomë e dobësisë së organizatave shumëpalëshe, sidomos të BE-së dhe të OKB-së. E përsa është kështu, BE-ja duhet të jetë më aktive. Evropa ka shansin të ndërhyjë e të tregohet më e vendosur në përfaqësimin e interesave të saj dhe të mos ta lërë këtë rajon të rëndësishëm e të lashtë të Evropës në mëshirën e fatit ose të fuqive të tjera me influencë.

Ajo që tani po ndodh me Kosovën, po ndjek logjikën e rendit të ri botëror, të rendit botëror të Donald Trumpit ose të Vladimir Putinit e jo logjikën e OKB-së apo të BE-së. Dhe kështu nuk është çudi që avokati më i rëndësishëm i kosovarëve është SHBA-ja, ndërsa Rusia mbështet qëndrimet e Serbisë. Rusia në anën e Serbisë, SHBA-ja si fuqia mbrojtëse e Kosovës.

Këtu në periferi të Europës po piketohen sferat e interesit: Pasi Mali i Zi vitin e kaluar u anëtarësua në NATO edhe Maqedonia pas zgjidhjes së çështjes së emrit, mund t’i bashkohet së shpejti aleancës mbrojtëse perëndimore, ndërsa në Ballkan do të mbeten vetëm tre vende me përkatësi politike të pasqaruar: Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Serbia. Edhe pas vitesh dhe dekadash përpjekjesh diplomatike të përsëritura, sidomos nga ana e BE-së, është arritur shumë pak në drejtim të shtendosjes dhe nuk dihet se ç’drejtim po merr situata.

Po në këtë linjë edhe zhvillimet e fundit në Kosovë janë një simptomë e dobësisë së organizatave shumëpalëshe, sidomos të BE-së dhe të OKB-së. Në një përpjekje për të balancuar interesat kundërthënëse të anëtarëve të tyre, ata nuk janë në gjendje të japin deklarata të qarta. Vërtet që, të alarmuar me ngjarjet e javëve të fundit, të gjithë apelojnë për moderim, por këto apele nuk mbeten pa efekt.

Humbja e kredibilitetit të BE

Sidomos BE-ja ka humbur jo vetëm simpatinë, por edhe autoritetin, sepse ajo nuk është në gjendje ta mbajë fjalën për perspektivën e anëtarësimit, pasi në radhët e BE-së tendenca kundër integrimit të Ballkanit Perëndimor nuk po bie, por po rritet. Politikanët e Ballkanit Perëndimor kanë kohë që e kanë kuptuar këtë dhe po ndjekin agjendat e tyre: Këto kanë të bëjnë me ruajtjen e pushtetit personal dhe me interesat kombëtare në ekonomi dhe çështje të sigurisë. Bota e bukur e vlerave të një Europe të bashkuar e demokratike nuk ndodhet më në plan të parë.

Dhe kështu krijohen hapësira veprimi që nuk kanë si synim parimor bashkëveprimin e ndërsjelltë në rajon, por realizimin e interesave të veçanta – edhe duke vendosur kufizime, siç janë tarifat doganore prej 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe krijimi i Ushtrisë së Kosovës. Ëndrra për t’i bashkuar të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në një zonë ekonomike duke evituar kështu konfliktet e shtetësisë tani për tani duket se është vanitur.

Në vend të kësaj po shohim lojë me muskuj. Kundërshtarët kanë zënë pozicionet. E nga kjo përfitojnë të dyja palët. E parë nga perspektiva e tyre, deklaratat e presidentit të Serbisë dhe të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ishin tërësisht të suksesshme: Nga OKB-ja pati vetëm disa apele për moderim, por pa presion, pra, asgjë konkrete. Shumë më e rëndësishme: Të dy presidentët ishin në gjendje t’u tregonin njerëzve të tyre brenda vendit, se ata i përfaqësuan dhe i mbrojtën me dinjitet interesat e tyre para të gjithë botës. Kësisoj, tensionet aktuale po i forcojnë presidentët përkatës. Dhe po u vijnë në ndihmë atyre të shmangin vëmendjen nga problemet e shumta që kanë secili në vendin e vet.

Kosova – me një vetëdije të re

Themelimi i Ushtrisë së Kosovës vërtet që në radhë të parë është një akt simbolik. Por Kosova kështu na tregon qartazi se mund t’i referohet të drejtës së saj si shtet sovran dhe po paraqitet me një vetëdije të re. Dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe 20 vjet pas luftës në Kosovë, njerëzit nuk duan më të jenë qytetarë të dorës së dytë, duke pasur përreth vende që janë anëtare në organizatat ndërkombëtare e qytetarët e të cilëve gëzojnë lirinë e udhëtimit. BE-ja, nga ana tjetër, ende nuk po arrin të angazhohet në mënyrë aktive për Ballkanin Perëndimor dhe ta kuptojë atë si rajonin e shanseve. Vendet e saj ua refuzojnë kosovarëve të drejtën e udhëtimit pa viza, por nga ana tjetër kërkojnë heqjen e tarifave doganore. Kjo është e drejtë me logjikën e Evropës, por jo me logjikën e “rendit të ri botëror”. Edhe dialogu i udhëhequr nga BE-ja midis Serbisë dhe Kosovës ka ngecur në vend. Prandaj Kosova kërkon nga SHBA-ja që ajo të përfshihet në dialog. E kjo nuk të habit!

Tani u bë e njohur edhe letra që presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar presidentit Thaçi, ku e fton atë dhe homologun e tij serb, Vuçiqin, në Shtëpinë e Bardhë, për të festuar një “marrëveshje historike”. Kjo na kujton “Camp David”. Por ende nuk ka marrëveshje, e as një dialog konstruktiv. E përsa është kështu, Evropa ka shansin të ndërhyjë e të tregohet më e vendosur në përfaqësimin e interesave të saj dhe të mos ta lërë këtë rajon të rëndësishëm e të lashtë të Evropës në mëshirën e fatit ose të fuqive të tjera me influencë.

Adelheid Feilcke ёshtё themeluese e seksionit shqip të Deutsche Welle, tash drejtore e Departamentit të Evropës në median gjermane për botën e jashtme.

Titulli e nёntitulli janё vёnё nga redaksia e Kabllogramit, nxjerrё nga konteksti i kёtij shkrimi Kabllogrami/

 

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë