Albini: Shko Hashim në Hagë, shpëtoji shokët e mbroje luftën e UÇK-së
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se Presidenti Hashim Thaçi, arritjet dhe sukseset që Kosova i ka pasur falë sakrificave të popullit të UÇK-së dhe falë ndihmës së miqve ndërkombëtar u mundua t’ia përshkruaj vetvetes. “Nuk është korrekte të marrësh meritat 20 vjet e përgjegjësi asnjë ditë prandaj, ka ardhur momenti që ti të shkosh, atje ku po të thërrasin, në kurthin që vetë ia ngrite ushtrisë çlirimtare, duke ua përdredhur duart deputetëve të partisë tënde e duke na shkelur të gjithëve më 3 gusht 2015. Shko Hashim” ka shkruar Kurti.
Albin Kurti përmes një shkrimi, ka kërkuar nga Thaçi të bëjë diçka lidhur me ftesat që po bëhen nga Specialja për ish-komandantët e luftëtaret e UÇK-së, t’i shpëtojë ata e ta mbrojë luftën çlirimtare të UҪK-së, duke shkuar vet në Hagë, transmeton Kabllogrami.
Sipas tij, nuk është korrekte të marrësh meritat 20 vjet e përgjegjësi asnjë ditë. Kurti ka thënë se si mund të durohet kjo kur luftëtarët e vërtetë po i thërret prokuroria në Hagë, të cilën e solli vet Thaçi, duke ua përdredhur duart deputetëve të partisë së tij që ta votojnë gjykatën speciale.
Mos e mbyt shoqërinë civile dhe mediet duke privilegjuar atë që na e la Stanishiqi trashëgim te dera, e i cili po rekruton e po promovon brezin e ardhshëm të bashkëpunëtorëve të rinj.
“Ne besojmë që ti nuk je fajtor për luftë, ashtu si çdo person i angazhuar për çlirim, qoftë në front, e qoftë larg frontit si puna jote. Por ne besojmë se ti je fajtor për shumëçka të keqe që na erdhi në paqe, në dy dekadat e fundit. Mos e lër popullin të vuajë, mos e lër Kosovën të paguajë për mëkatet e tua. Shko Hashim. Po pra, shko Hashim. Në Hagë thuaje fjalën tënde me argumente e fakte, në mbrojtje të luftës çlirimtare, të UÇK-së, të shqiptarëve e të historisë sonë. Të takon. Je historiani që ishe në luftë. Bëhu presidenti që hyn në histori. Shko Hashim”, ka shkruar mes të tjerash Kurti. /©Kabllogrami/