Albulena: Sa herë përmend drejtësinë pushteti aktual, nënkupton edhe më shumë për kapjen e tij

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas zgjedhjes së Bahri Hysenit në krye të KPK-së. Kujtojmë se Ish-deputeti i PDK-së dhe njëri nga protagonistët e aferës së përgjimeve “Pronto”, Bahri Hyseni, është zgjedhur kryesues i ri i Këshillit Prokurorial të Kosovës. Ai ishte kandidati i vetëm në këtë garë që kishte konkurruar, pasi të tjerët nuk ia mësynë fare kësaj pozite duke e ditur se apriori ishte e vendosur.

Albulena përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se sa herë pushteti aktual flet për sistemin e drejtësisë, në fakt është e qartë që po përgatiten për kapjen edhe më shumë të tij.

“Kësisoj ndodhi edhe së fundi me zgjedhjen e Bahri Hysenit në krye të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Ai i mori 10 vota për, me asnjë votë kundër e me asnjë abstenim nga Këshilli Prokurorial i Kosovës pra me një diciplinë militariste, si rruzat n’pe, u renditën krejt votat për Bahriun! Në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit, u thanë shumë fjalë kundër korrupsionit, përfshirë këtu edhe nga ambasadorët e Quintit dhe znj.Apostolova. Çka mund të themi sot kur nga subjekt dyshimi e hetimi për aferë korruptive, Bahri Hyseni bëhet shef i organit për emërimin dhe shkarkimin e prokurorëve, përfshirë këtu edhe kryeprokurorin?! Është e qartë, me këtë nomenklaturë të njerëzve nuk ka as drejtësi, as zhvillim sikurse është e qartë që po të kishim vetting, asnjëherë në krye të institucioneve nuk do të mund të instaloheshin njerëz të tillë”, ka shkruar deputetja Haxhiu.

Hyseni, me t’u emëruar në këtë post para pak ditësh, para Këshillit Prokurorial ka folur për prioritetet e tij, duke thënë se do të angazhohet në mbrojtjen e parimeve të drejtësisë dhe pavarësinë e sistemit prokurorial. Më herët Bahri Hyseni ka qenë prokuror në Prokurorinë Themelore në Ferizaj. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë