Arbërie Nagavci: Seanca e sotme për të legjitimuar tradhëtinë
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka akuzuar koalicionin qeverisës dhe PSD-në se e kanë thirrur sot seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për shqyrtimin e rezolutës së PSD-së, tinëzisht për të legjitimuar tradhtinë.
Nagavci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “as 24 orë nuk pritën nga votimi i ligjeve për transformimin e FSK- së. Me nxitim, tinëzisht, natën e ftuan seancën e jashtëzakonshme për të legjitimuar tradhëtinë e tyre”.
Postimi i plotë i Nagavcit:
“As 24 orë nuk pritën nga votimi i ligjeve për transformimin e FSK- së. Me nxitim, tinëzisht, natën e ftuan seancën e jashtëzakonshme për të legjitimuar tradhëtinë e tyre.
Qeverisë së pakicës i është bashkangjitur edhe pakica e opozitës, e dialogu nuk mund të zhvillohet nga ata që nuk kanë legjitimitet, andaj nuk duhet të vazhdoi para zgjedhjeve të reja dhe pa marrë mbështetjen e qytetarëve.
Cila është ngutia për të vazhduar dialogun me Serbinë? Cila është arsyeja që Shpendi të jetë në një ekip me Bexhet Pacollin, Dardan Gashin, Enver Hoxhajn e të tjerêt, të gjithë bashkë pas Thaçit e për të?
Në fakt tradhtia duket e vështirë e e pamundur herën e parë, pastaj s’është më as problem e as befasi. Kur tradhtuan idealin, programin, besimin e qytetarëve, asgjë më s’është e papritur.
Ne nuk do të marrim pjesë në këtë seancë, e as në këto pazare në dëm të vendit”, ka shkruar Nagavci. /©Kabllogrami/