Vështirë të kuptosh se çfarë ka dashur deri në Montana, shqiptari i arrestuar dje në SHBA me akuza për synim terrorizmi.
Shteti veriperëndimor amerikan ka pak refugjatë dhe aq më pak myslimanë.
I arrestuari është Fabjan Alameti, 21-vjeçar, që u nxor përpara një gjykatësi të enjten i akuzuar se po planifikonte një sulm në SHBA që mund të ishte një pikë ushtarake, një qendër rekrutimi, ndërtesë qeveritare, “klub gejësh” ose tempull hebre.
Në fakt, padia që paraqiti prokuroria ishte për zotërim droge, armë pa leje dhe se kishte gënjyer në deklarata për terrorizëm ndërkombëtar dhe brenda vendit.
FBI e ka intervistuar Fabjan Alametin në 2018, pasi kishte bërë komente pro-ISIS në Facebook. Pastaj në biseda me një informator të futur nga FBI, 21-vjeçari ka treguar fantazitë, në mos planet e tij për të sulmuar një nga objektet e lartpërmendura.
Më vonë, ai ka ndryshuar tonin dhe ka thënë se nuk do të bënte sulme në SHBA se sapo kishte marrë qytetarinë këtu, thuhet në dëshminë e agjentit të FBI-së.
Fabjani bënonte në Bronx, po është zhvendosur kohët e fundit në Bozeman, Montana, sepse urrente jetën në Nju Jork dhe se kishte probleme me familjen. Ai ishte duke udhëtuar me autobus për aty kur mori lajmin për sulmin terrorist në një xhami të Zelandës së Re dhe i kishte shprehur dëshirën informatorit të FBI-së që të hakmerrej duke vrarë këdo që i dilte përpara për të marrë hak.
Sapo ishte vendosur në Bozeman, kishte shkuar për të blerë një pushkë në WaltMart dhe më vonë e kishin dëbuar nga hoteli se kishte pirë marihuana, ndërsa në 25 mars ishte shtruar në spital prej helmimit nga alkooli.
Pas daljes nga spitali, shqiptari i ri është intervistuar përsëri nga FBI dhe ka mohuar se ka shprehur ndonjëherë dëshirë që t’u bëj keq amerikanëve apo për të udhëtuar përtej oqeanit që të bashkohej me ISIS.
Mirëpo, të martën, një informator tjetër nga FBI e inçizoi duke thënë ndërkohë që blente marihuana se donte të shkonte e të qëllonte me pushkë hotelin nga e kishin dëbuar. Ndoshta mund ta gjente një armë në një poligon qitjeje.
Të mërkurën, Alameti shkoi në një polygon dhe pagoi 35 dollarë për një pushkë M1A m qera. U arrestua në vend, pasi mori në dorë armën shkruan Ruben Avxhiu në Illyriapress, transmeton Kabllogrami. /©Kabllogrami/
Posti i kaluar
Lexo edhe