Basketboll: Mbrëmje e çmendur në kryeqytet, KB Prishtina fiton dhe shkruan historinë
Skuadra nga kryeqyteti i Kosovës, ka shënuar një nga fitoret më të mëdha në histori të klubit, duke e mundur skuadrën e njohur turke, Pinar Karsiyaka, me rezultat 82:78 në ‘Pallatin e Rinisë’ në ndeshjen e xhiros së fundit në grupe për të siguruar kalimin në fazën e eliminimit direkt në FIBA Europe Cup.
Padyshim se kjo është e arritura më e lartë e klubit që nga themelimi sa i përket pjesëmarrjes në garat e rëndësishme të basketbollit evropian.
Çereku i parë u takoi mysafirëve nga Turqia, të cilët me mbrojtje të mirë dhe sulm efikas arritën ta fitojnë me rezultat 16:26.
Një Prishtinë tjetër u pa në çerekun e dytë, që falë edhe mbështetjes së madhe të Plisave, arriti të kthehej në lojë, për ta fituar këtë çerek me rezultat 23:16.
Pas përfundimit të pjesës së parë, rezultati figuronte 39:42 për Pinar Karsiyaka.
Po kaq emocionuese ishte edhe pjesa e dytë, konkretisht çereku i tretë dhe i katërt.
Kryeqytetasit arritën që ta fitojnë edhe çerekun e tretë, me rezultat 20:18, për të lënë të kuptohet se çereku i fundit do të jetë një finale e vërtetë, siç ishte edhe kjo ndeshje.
Çereku i katërt dhe vendimtar, i takoi po ashtu skuadrës së KB Prishtinës, që e udhëhequr nga Dardan Berisha, arriti ta fitonte këtë çerek me rezultat 23:18, për rezultatin e përgjithshëm 82:78.
Tash, pas kësaj fitoreje KB Prishtinës, falë ndryshimit të sistemit të garave të bërë së fundmi nga FIBA Europë, i jepet mundësi të kalojë në në ruandin tjetër të eliminimit direkt, gjë që konsiderohet si e arritura më kulmore e klubit. /©Kabllogrami/