Dhjetra të vdekur nëpër Evropë shkaku i stuhisë së borës dhe motit të ftohtë

Stuhia e rëndë e borës ka goditur Evropën duke bllokuar rrugë e aeroporte në shumë vende. Mijëra njerëz kanë ngecur edhe në zonat e Alpeve, shkaku i erës dhe ortekut derisa ka rrezik që gjendja e njëjtë të vazhdojë edhe për disa ditë.

Së paku 13 persona raportohet se kanë vdekur në incidente të ndryshme që ndërlidhen me motin në gjithë Evropën përgjatë javës që shkoi, shumica prej tyre shkaku i ortekëve, transmeton KTV.

Vetëm në Norvegji tentimet për të nxjerrë trupat e katër skiatorëve nga bora, janë shtyrë derisa reshjet të qetësohen.

Ndërkaq, në Rumani janë gjetur disa trupa të ngrirë, e të cilët nuk ishin të pastrehë. Temperatura në zona të ndryshme të Evropës arriti në minus 20 gradë.

E, zyrtarët në pjesën jugore të Gjermanisë kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme pasi që më shumë se gjysmë metri borë ka mbuluar pjesë të Bavarisë.

Zona, madje, përjetoi edhe kaos në trafik përgjatë fundjavës, e shumë linja hekurudhore anuluan udhëtimet apo i shtynë për një kohë. Të hënën shkollat nuk punuan e shumë rrugë u mbyllën.

Në Austri së paku 3 persona konsiderohen të vdekur e 4 ende të zhdukur shkaku i ortekut. Në zonën e Salzburgut vlerësohet se ka rënë borë deri në 1 metër e gjysmë.

Përndryshe, edhe plazhet e Greqisë janë mbuluar nga bora. Shumë shkolla janë mbyllur edhe në Greqi, derisa banorët po ballafaqohen edhe me ndërprerje të rrymës e me telashe në trafik. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë