Edhe një provokim në Merdare nga BIA serbe, ndalohet zyrtari serb nga Ministria e Punës, reagon Haradinaj

Nebojsha Jakovljeviq, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, është ndaluar në Merdare nga autoritetet serbe, vetëm një javë pasi një gjë e tillë i kishte ndodhur edhe zëvendësministrit të Kulturës, Boban Stankoviqit.

I revoltuar me akte të tilla destruktive të shtetit të Serbisë, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ndaj ndalimit duke thënë se ky është presion dhe kërcënim i Serbisë për qytetarët e komunitetit serb të Kosovës të cilët janë integruar dhe dëshirojnë të integrohen në jetën institucionale në Kosovën shumë etnike, raporton Kabllogrami.

“Ndalimi i Nebojsa Jakovljevic nga autoritetet e Serbisë në Mërdarë, është veprimi i radhës i papranueshëm dhe i dënueshëm. Jakovljevic është këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pjesë e partisë SLS dhe vëllai i nënkryetarit të Komunës së Obiliqit, familjen e të cilit e kam vizituar gjatë muajit dhjetor”, ka shkruar Haradinaj.

“Qeveria e Kosovës dënon ashpër këtë formë të presionit dhe kërcënimit nga ana e Serbisë për qytetarët e komunitetit serb të Kosovës. Ky veprim, nuk është i vetmi dhe as i izoluar, por është pjesë e një fushate të orkestruar të pushtetit serb, për ta kërcënuar drejtpërdrejt sigurinë e vendit tonë”, ka shkruar ai.

“Kosova është e përkushtuar për dialog, që mundëson arritjen e një Marrëveshjeje përfundimtare me shtetin fqinj dhe secili akt që pengon këtë frymë është i papranueshëm. Apeloj tek zyrtarët e BE-së si dhe tek Bashkësia Ndërkombëtare, që të reflektojë për t’i bërë presion Beogradit të ndalojë menjëherë veprimet e tilla të njëpasnjëshme kundër qytetarëve të Kosovës, të cilat tregojnë qartë rrugën që ka zgjedhur Serbia kundër lëvizjes së lirë, frymës europiane të bashkëpunimit si dhe vlerave të përbashkëta”, ka shkruar ai. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë