Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se dialogu duhet të kushtëzohet me ndërprerjen e menjëhershme të fushatës së ndyrë të Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Ai thotë se dialogu është i shantazhuar dhe nuk mund të kushtëzohet me liberalizimin e vizave, transmeton Kabllogrami.
“Dialogu nuk kushtëzohet me liberalizimin e vizave, por dialogu kushtëzohet me ikjen e kësaj qeverie dhe, dialogu kushtëzohet me ndërprerjen e menjëhershme të fushatës së shtetit serb për tërheqjen e njohjeve të shtetit të Kosovës. Deri sa Serbia zhvillon fushatë të tillë, dialogu është i shantazhuar, prandaj BE duhet që paraprakisht ta ndalë Serbinë nga kjo fushatë e ndyrë”, ka shkruar Mustafa në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Ai shtoi se, “për liberalizimin, edhe zogjtë e maleve, siç thotë populli, e dinë se kush e pengoi. Ne duhet t’i lusim vendet e BE-së që ato të mos sillen ndaj këtij procesi ashtu si u sollën disa parti dhe disa deputetë tanë”. /©kabllogrami.com/