Fitorja e Vetëvendosjes: Familja Daci duhet t’i refuzojë paratë e Qeverisë

Vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës që, pas vdekjes së zëvendësministrit Arian Daci, familjes Daci t’i ndahen 15 mijë euro, ka nxitur reagimin e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.

Deputetja Pacolli, në një postim në faqen e saj në rrjetin social Facebook, ka shkruar se shteti nuk ndau asgjë për punëtorët që humbën jetën në vendin e tyre të punës.

Ajo ka përmendur edhe raste sociale dhe familjet që kërkonin mjete në të holla për shërimin e fëmijëve që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, për të cilat pushteti kurrë s’pati vëmendje.

“Shumë punëtorë për të siguruar bukën për familjet e tyre kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës ku punonin pa asnjë masë sigurie. Shumë prej tyre kanë lënë prapa fëmijë pa përkujdesje e në kushte të rënda sociale. Shteti nuk ndau asgjë për ta. Shumë familje detyrohen të kërkojnë nga të afërmit e qytetarët që sado që munden t’i ndihmojnë për të paguar shërimin e fëmijëve të tyre. Shumë kërkesa bëhen në sheshe të qyteteve, radio, rrjete sociale e televizione. Shteti nuk është askund. Shteti nuk i ndihmon këto familje”, ka shkruar Pacolli në facebook.

Deputetja e Vetëvendosjes ka thënë se familja Daci duhet t’i refuzojë paratë që Qeveria i ndau pas vdekjes së Arian Dacit.

Sipas Pacollit, shteti duhet të garantojë barazi sociale për të gjithë, e të veprojë pa dallim, transmeton Telegrafi.

“Sot shteti ndau 15.000 euro për familjen Daci. Vdekja e Arianit është humbje e madhe për familjen Daci por paratë nuk e lehtësojnë dhimbjen e tyre dhe nuk ka nevojë për to. Prandaj familja Daci duhet t’i refuzoj paratë. Shteti i drejtë vepron drejtë për të gjithë qytetarët pa dallim. Shteti social garanton barazi e mirëqenie për të gjithë. Kosova është shtet, por nuk është shtet i së drejtës e as shtet social”, përfundon postimi i Fitore Pacollit.

Djali i ish kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, Arian Daci humbi jetën tragjikisht të shtunën në Brezovicë në një ortek të borës. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë