Gjatë tërë javës temperatura të larta në Kosovë, përveҫ të enjtes me shi

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se situata meteorologjike do të mbetet e njëjte edhe për tri ditët e ardhshme. Kjo si pasojë e masave të nxehta të ajrit të cilat janë stacionuar mbi Gadishullin e Ballkanit dhe më gjerë, transmeton Gazeta Online Kabllogrami.

Sipas njoftimit, kjo gjendje e motit do të mbetet e njëjtë deri të enjten, kur mbi vendin tonë do të ketë devijim të masave të ajrit me presion të ulët atmosferik dhe do t’i ndërrojnë kushtet meteorologjike dhe biometeorologjike.

Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet 15-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 33-36 gradë Celsius.

“Të enjten dhe të premten priten reshje shiu, por në veriperëndim reshjet mund të fillojnë edhe pasditen e së mërkurës, gjë që do të ndikoj në uljen e temperaturave maksimale në rangë vendi, duke bërë që merkuri në termometër të zbresë deri 26 gradë Celsius”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas Institutit, ndeksi UV do të vazhdoj ti mbajë vlerat e ditëve të fundit, kështu që këshillat e Institutit Kombëtar për kujdesin nga rrezet e diellit mbeten në fuqi.

“Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi i verilindjes, por nga e mërkura shpejtësia e erës do të rritet nga 1-11m/s”. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë