Google ndryshon kërkimin e fotografive, me dizajn dhe detaje të reja
Siҫ keni mundur edhe vet ta vëreni, Google e ka azhurnuar përvojën përdoruese të kërkimit të fotove në desktop. Kompania e ka ripunuar mënyrën e paraqitjes së fotografive kur ato kërkohen në Google Images, ndërsa fotografitë tani shfaqen në panelin në anën e djathtë të ekranit në vend të panelit shumë më të madh në fund të fotografisë së zgjedhur, siç ka qenë deri më tani, raporton Neowin.
Azhurnimi i vogël i interfejsit do të duhej ta përmirësonte përvojën e kërkimit dhe krahasimit të fotografive, veçanërisht për ata që mbështeten në këtë shërbim për kërkime të fotografive. Preview panel nga anash është i ngrirë, ndërsa rezultati i kërkimit mund të skrollohet, duke e bërë më të lehtë krahasimin e fotove dhe kërkimin e fotove të ngjashme.
Kompania gjithashtu e ka shtuar mundësinë e shikimit të më shumë detajeve të fotografisë, si emrat e brendeve, disponueshmëria, testet/përshkrimet e produkteve, etj, shkruan Koha Ditore. Ky segment do t’i ndihmojë shitësit me pakicë dhe publikuesit, pasi që përdoruesit do ta kenë një mënyrë më të lehtë për ta vizituar uebfaqen në kërkim të informacioneve ose kur e blejnë ndonjë produkt.
Funksionet e reja, si dhe mundësia që developerët të shtojnë informacione në fotot e tyre të produkteve, veprojnë si hapat e parë në synimet e Google për ta mundësuar reklamimin përmes Google Images. Kjo është diçka për të cilën është folur në të kaluarën dhe aktualisht po testohet nga përdorues të zgjedhur dhe shitës me pakicë. /©Kabllogrami/