Deri kur me Kufij të pritjeve të gjata
Të zhgënjyer me pritjet e gjata janë shprehur disa bashkatdhetarë që të enjten /dje/ kishin vendosur të udhëtonin nëpërmjet pikës kufitare në Merdar, për në vendet perëndimore, në të cilat aktualisht punojnë e jetojnë.
Deri në pesë orë kanë qenë pritjet në kolonën e gjatë që ishte krijuar pasditen e djeshme. Për këto pritje mërgimtarët tanë, më shumë i kanë fajësuar policët serbë që nuk kanë punuar në proporcion me numrin e udhëtarëve. Por, kanë kërkuar reciprocitet nga policët e Kosovës që të mos i lejojnë të futen udhëtarët serbë në Kosovë derisa t’i eliminojnë pritjet e udhëtarëve shqiptarë nga ana e kundërt, shkruan sot Koha Ditore.
Luan Dautaj që kishte qëndruar për pesë javë në vendlindjen e tij në Drenasi ka thënë se kishte mbërri 10 minuta para orës 10 në kolonë. Ai edhe pas gati pesë orëve po qëndronte ende aty (në orën 14:30). Ky bashkatdhetar që ishte nisur për në shtetin suedez, kishte edhe disa vetura përpara për t’i ardhur rendi për kontroll të dokumenteve. Luan Dautaj thotë se nuk është normale pritja aq e gjatë nëpër kufi.
“Nuk e di, këtu po punojnë me një pikë, po sigurisht problemi është në anën tjetër, po e ngadalësojnë e këta tonët po e përcjellin ritmin, në këtë rast nuk mundemi me ua lanë fajin (tanve v.j.)”, ka thënë ai. “Zakonisht i përdor pikat e Mitrovicës, po e kam një koleg që udhëton me letërnjoftim e ky s’po guxon andej nga Mitrovica edhe ia pash hairin nja 5 sahat”, është shprehur ai për Kohën Ditore.
©Kabllogrami