Greva në arsim i bën dy javë të plota – Një mësuese s’do të dëgjojë për grevën
Greva në arsim po i bën dy javë të plota, derisa këtë poshtërsi me gjithë maltretimin psikik dhe shpirtëror që ua kanë bërë nxënësëve dhe prindërve të tyre – SBASHK-u dhe Qeveria, nuk ka lum që e lanë, shkruan Kabllogrami.
Në një shkollë fillore “Xhevat Berisha”, në Prizren, mësuesja Hatmane Bytyqi, ndonëse përkrah kërkesat e grevistëve, ka marrë vendim që të vazhdojë me mësim me nxënësit e saj të klasës së dytë dhe këtë e shohin me simpati prindërit e nxënësëve.
Derisa, këtë, kolegët e saj nuk e shohin si veprim të mirë. Drejtori i Arsimit në komunën e Prizrenit thotë se është i kënaqur me veprimin e kësaj mësueseje, raporton televizioni KTV.
Megjithëse greva e mësimdhënësve po vazhdon edhe në shkollën “Xhevat Berisha” të Prizrenit, mësuesja Hatmane Bytyqi po vazhdon ta mbajë procesin mësimor, ajo nuk ka pranuar të flasë para kamerës së KTV-së.
Përkundër kërkesave për deklaratë, ajo ka refuzuar të flasë para kamerës, por ka thënë se është e vendosur për të mos hyrë në grevë.
Dhe, duke parë çoroditjen sociale në Kosovë, me një qeveri që i rrit pagat qind për qind për veten e saj dhe disa kategori tjera të interesit, dhe arsimtarët që hyjnë në grevë si reaksion i këtij veprimi të papërgjegjshëm të qeverisë, duke mos u interesuar asnjërës palë fati i nxënësëve të cilët i kanë lënë të traumatizuar, atëherë s’na mbetet gjë tjetër pos t’i themi kësaj mësuese në Prizren – bravo të qoftë. /©Kabllogrami/