Greva në arsim, ‘kravatat’ e ‘kërpeshi’

Koment i redaksisë së Kabllogramit

Shkruan: Mentor Bogaj

Për rreth 600 vjet Turqia s’lejoi kund shkollë shqipe. Zhdukte njerëz vetëm pse guxonin të mendonin shqip e t’u mësonin fëmijëve gjuhën amtare. Dikur edhe Serbia na helmonte në shkolla, na mbyllte shkollat, na torturonte e madje edhe vriste të rinj e arsimtarë në mbrojtje të shkollës shqipe. U organizuam edhe në vrima të miut /në shtëpitë – shkolla/ për të mos e ndalur udhën e dijes.

Sot jemi bërë armiku i vetvetes. Kemi një president e qeveri të papërgjegjshme skajshmërisht, mbase një ditë historia do të zbulojë sheshazi për kë punuan – duke punuar kundër popullit të vet.

Kemi edhe një sindikatë të arsimit që njihet shkurt si ‘SBASHK’ që:

1.    kurrë nuk ngriti zërin për rënien drastike të cilësisë së arsimit nëpër shkolla e universitete kudo në Kosovë;

2.    që kurrë nuk ngriti zërin për punësimet politike pa kriter të mësimdhënësve nëpër shkolla kudo në Kosovë që degraduan keqas arsimin.

3.    që kurrë nuk tha asnjë fjalë për mësimdhënësit që organizojnë kurse private dhe marrin fëmijë të mitur nëpër shtëpitë e tyre “për t’i mësuar” ato që është dashur t’ua mësojnë në shkollë; etj etj.

SBASHK-u fatkeqësisht të asocon vetëm në një: ‘PARA’ – Kërcënime me greva gjithëherë vetëm për para, gjithëherë për rritje të pagave, dhe ç’është më e tmerrshmja, duke sakrifikuar fëmijët e gjorë, duke i përdorur ata si mjet shantazhi dhe kështu duke lënë pasoja mbase të pariparueshme psikike e shpirtërore te fëmijët.

Kështu, duke ua zhvleftësuar fëmijëve rëndësinë e të mësuarit dhe nxënies së diturisë që do t’i bënte gati për jetë. A thua vallë të jenë ri-inkarnuar në vet qenien tonë djajt e pushtuesve turko – serb për ta çuar në fund procesin e zhbërjes tonë kolektive!?

Atyre të “kravatave” u mbetet vetëm t’u themi, mos i shtrëngoni fort se po ngulfateni, apo akoma më thjeshtë: lereni fare këtë punë se për ju qenka vetëm “kërpeshi”, derisa SBASHK-ut do t’i thonim që të mos jenë më lodra politike për të lozur ashtu siç do presidenti apo kushdo qoftë, dhe se ‘vulën e turpit’ do ta mbani prore për traumat që ua shkaktuat fëmijëve duke i përdorur si mjete shantazhi për t’i trashur xhepat tuaj, derisa cilësia e arsmimit është në fund të pusit.

Shihni pak arsimin në vendet e rajonit për të parë se nuk qendroni aq keq me paga, derisa ekzekutivi sa më parë duhet ta kthejë mbrapsht atë “pis ligj të pagave” duke krijuar konditat për nivelizim dhe drejtësi sociale për të gjitha kategoritë në marrëdhënie pune, e jo të mendojnë vetëm për vete dhe grupe të caktuara të interesit.

Kjo është receta për t’iu shmangur absurdit, derisa ju uroj krejt palëve të involvuara në këtë çmenduri sociale që me shëndet ta mbani prore “vulën e turpit” për dëmet që ua shkaktuat fëmijëve, popullit dhe vendit. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë