Hahn: BE e befasuar dhe e zhgënjyer me vendosjen e taksës 100%

Bashkimi Evropian ishte i befasuar dhe zhgënjyer me vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarifave doganore, ka deklaruar komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Johannes Hahn, transmeton Kabllogrami

Këto komente, Hahn i bëri gjatë një konference në Prishtinë pas takimeve që zhvilloi me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës ku sot pasdite u takua me kryeministrin Ramush Haradinaj, pastaj me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe si dhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai tha se heqja e barrierave tregtare është një nga qëllimet e BE-së. Hahn lavdëroi angazhimin e Kosovës në këtë drejtim ndër vite, por jo edhe vendosjen e taksës doganore.

“Ne të gjithë kemi qenë të befasuar dhe të zhgënjyer kur u vendos tarifa prej 100 për qind. Jam në dijeni dhe të gjithë në BE jemi për vështirësitë aktuale për Kosovën. Ka nevojë që të dyja palët të adresojnë këto çështje”, tha Hahn.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka sqaruar se nuk do të tërhiqet nga vendimi për tarifën e vendosur ndaj prodhimeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja. Ai ka thënë se ka shumë arsye që Qeveria e Kosovës është detyruar të vendosë këtë taksë, duke veçuar politikat e Serbisë kundrejt shtetit të Kosovës. Andaj, sipas Haradinajt, taksa doganore 100 për qind do të shfuqizohet në momentin kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Komisioneri Hahn, thuhet tё jetё takuar pa prezencёn e mediave edhe me zyrtarёt e “Listёs Serbe” qё dirigjohen nga Beogradi, tё cilёt qё prej dje ishin ngujuar nё ambientet e Kuvendit, duke deklaruar se s’do tё largohen nga aty derisa ta takojnё komisionerin Hahn, pёr t’u ankuar te ai pёr taksёn 100% ndaj produkteve serbe tё vendosur nga Qeveria e Kosovёs. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë