Haradinaj falenderon Britaninë e Madhe për qëndrimin zyrtar kundër prekjes së kufijve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka falënderuar të martën Britaninë e Madhe, për qëndrimin që ka shfaqur kundër idesë së ndryshimit të kufijve të Kosovës.

“Arritja e marrëveshjes e bazuar në ndryshimin e kufijve, rrezikon stabilitetin në Kosovë dhe Serbi, si dhe rrezikon të vendos një precedent që mund të shfrytëzohet nga palët e treta në rajon dhe më tej”, kishte deklaruar së fundi ministri britanik për Evropë, Sir Alan Duncan, duke shprehur qëndrimin zyrtar të shtetit të cilin e përfaqëson.

Nëpërmjet një postimi të publikuar dje në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se është “mirënjohës dhe falënderues për qasjen konsistente të Qeverisë së Britanisë së Madhe ndaj idesë luftënxitëse e destabilizuese të ndryshimit të kufirit të Kosovës me Serbinë si pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me shtetin fqinj”.

“Në debatin e sotëm për Kosovën në Parlamentin Britanik, Ministri për Evropë, Sir Alan Duncan e cilësoi si tejet të rrezikshëm për Ballkanin, debatin për ndryshimet e kufijve, që do të shfrytëzohej si presedan nga palët e treta”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj e di që kufijtë në Ballkan nuk janë perfekt, por lëvizja e tyre është shumë e ndjeshme dhe e rrezikshme. “E përsëris se Kosova është e interesuar për marrëveshje me Serbinë, e cila do të rezultojë me njohje reciproke brenda kufijve aktual të 17 shkurtit 2008”, ka thënë Haradinaj në Facebook. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë