Interesimi i lexuesve nuk mungon në hapje të Panairit të Librit

Prishtinë, 6 qershor – Numri i lexuesve shënon rritje nga viti në vit sa u përket vizitave në Panairin e Librit, por të brengosur me rënien e regjistrimeve të lexuesve në bibliotekat publike, janë paraqitur të mërkurën organizatorët e ngjarjes më të madhe të librit në Kosovë.

Hapja e edicionit të 21-të të panairit të librit ka shërbyer për t’iu bërë thirrje institucioneve shtetërore që ta kthejnë vëmendjen nga bibliotekat publike. Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, ka bërë të ditur një rrethanë shqetësuese. Ai tha se: “Agjencia e Statistikave të Kosovës nxori një rënie prej 120 mijë lexuesish më pak në nivel vendi në bibliotekat tona publike. Kjo shifër na ka alarmuar. Shifrat që vijnë nga Panairi tregojnë në fakt që interesi sa vjen e rritet, por bibliotekat tona publike nuk e kanë vëmendjen institucionale që duhet ta kenë”. Ai ka përmendur se sivjet pjesë e Panairit janë mbi 100 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e diaspora. Ka thënë se janë 1500 deri në 1700 tituj të rinj. Shifrat, sipas Zenelit, vazhdimisht janë inkurajuese.

Mysafir special i këtij viti është shkrimtari shqiptar, Fatos Kongoli, ndërsa mysafir i veçantë i Panairit të sivjetshëm është edhe shkrimtari e kritiku francez, Juan Asensio, i cili është i pranishëm me librin e tij “Kënga e dashurisë e Judë Iskariotit”.

Sipas organizatorëve, pritjet janë që deri të dielën shifra e vizitorëve të panairit të librit në Prishtinë të arrijë deri në 40 mijë vizitorë. Sivjet midis ngjarjeve që shënohen gjatë Panairit janë edhe 400-vjetori i vdekjes së Lekë Matrëngës, 200-vjetori i lindjes së Walt Whitman, 200-vjetori i lindjes së Herman Melville, 200-vjetori i lindjes së George Elios, 100-vjetori i lindjes së Alain Bosquet e të tjera. /©Kabllogrami/

 

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë