Zaevi i shqetësuar për sigurinë në rajon: Nëse s’hapen negociatat “bie” Qeveria e Maqedonisë e “destabilizohet” Kosova

Nëse Maqedonia e Veriut nuk merr datë për fillim të negociatave, ekziston rreziku të bie Qeveria, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev. Në takim me gazetarët në Bruksel, Zaev ka thënë se shtyrja e vendimit në parlamentin gjerman dhe si pasojë shtyrja e datës për fillim të negociatave rrezikon përforcimin e fuqive nacionaliste dhe humbjen e shumicës në Kuvend. Edhe procesi i rikonstruimit të Qeverisë, sipas kryeministrit, varet nga vendimi për datën.

“Nëse vendosin të mos na japin datë, do të ketë mundësi të rrëzohet Qeveria. Kjo qeveri stabile me të gjitha këto vendime pozitive, ka gjasa menjëherë ta humbë shumicën në Kuvend. Kjo për shkak se deputetëve u premtuam se sigurisht do të marrin vendim pozitiv nga BE-ja nëse ecim përpara. Kjo do të thotë se qytetarët do të inkurajohen të mbështesin nacionalizimin, radikalizmin dhe kjo nuk është në të mirë as të vendit tonë e as rajonit. Ato janë opsionet dhe ne frikësohemi nga ai variant”-tha Zoran Zaev, kryeministër i MV.

Zaev theksoi se tha se Holanda dhe Franca kanë më shumë rezerva për nisjen e negociatave me Shqipërinë, ndërsa shtoi se gjermanët frikësohen nga kërcënimet e palës shqiptare se vendimi mund të ndikojë për destabilitet në rajon, sidomos në Kosovë.

“Ata mendojnë se nëse i hapin negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe lihet jashtë Shqipëria, do të krijohet problem dhe mund të ndikojë tek Kosova. Gjermanët frikësohen nga kërcënimet e mikut tim Edi Rama për ndryshime të mundshme të kufijve ose bashkimit me Kosovën, por unë nuk besoj në këto punë, pasi kjo do të thotë kthim prapa për 10 vjet për Shqipërinë. Ndërsa një gjë të tillë nuk e dëshiron askush”, tha mes tjerash Zaev.

Presidenti i Komisionit Evropian Jean Claude Juncker pas takimit me Zaevin pranoi se disa vende akoma janë kundërshtare të hapjes së negociatave tani. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë