KFOR-i gjerman i dhuron pajisje Kosovës
Pas shndërrimit të Kampit të KFOR-it Gjerman në Prizren në Park Kosovar-Gjerman Inovativ dhe Trajnues, KFOR-i Gjerman përmes Ministrisë së Financave i dhuron Kosovës pajisje në vlerë prej 1.8 milionë euro.
Gjatë një vizite në Ministrinë e Financave, përfaqësuesit e KFOR-it Gjerman në Kosovë theksuan përkushtimin e tyre për mbështetjen e institucioneve të Kosovës përmes projekteve të ngjashme siç është projekti i Parkut Inovativ dhe Trajnues, njofton Ministria e Financave.
Në anën tjetër Ministri Hamza, theksoi se jetёsimi i projektit të Parkut Inovativ dhe Trajnues është një mundësi e jashtëzakonshme për qytetarët e Kosovës dhe institucionet e vendit, përmes të cilit pritet të realizohen projekte tejet me rëndësi.
Vlen të theksohet se nga ky park në të ardhmen pritet të përfitojnë edhe vendet e rajonit. Dhurimi i pajisjeve nga KFOR-i Gjerman mundëson që Parku Inovativ dhe Trajnues të fillojë funksionin e tij shumë shpejtë.
Në fillim të këtij viti, Qeveria e Kosovës dhe Qeveria Gjermane patën iniciuar diskutimet mbi të ardhmen e Kampit Fushor të KFOR-it Gjerman në Prizren, pas largimit të trupave ushtarake nga kampi. /©Kabllogrami/