Krejt të arrestuarit në rrahjen e djeshme në Kuvendin e nëndegës së LDK’së në Mat

Në Kuvendin e nëndegës së LDK’së, që u mbajt dje në Mat të Prishtinës, u shkepën, grushte, shqelma e hodhën edhe karrige. Pati të lënduar e edhe të arrestuar, ndër ta edhe figura të larta të kësaj nëndege.

Nisi si një Kuvend Zgjedhor i partisë, por përfundoi si me agresivitet fizik, rrahje brutale dhe hedhje të karrigave. U deshtë që të ndërhynte policia që ta qetësojë situatën ku u arrestuan pesë persona.

Por si ndodhi e gjithë rrahja në LDK e cila dje u shndërrua në ngjarjen kryesore të ditës? Në LDK-në e Prishtinës ekziston tashmë një legjendë e cila mund të përmblidhet kështu: Aty ku i fut hundët Hazir Borovci medeomos do të ketë tollovi, incidente e turbulenca tjera të cilat mund të eskalojnë siҫ ishte rasti mbrëmë deri në rrahje brutale. Natyrisht nëse punët nuk shkojnë sipas ‘yrnekut’ të Hazir Borovcit.

Gjatë pasdites të së dielës rreth orës 18:00 në shkollën ‘Mitrush Kuteli’ në Matiqan po mbahej Kuvendi Zgjedhor i LDK’së.

Në kohën kur po bëhej numërimi i votave të pjesëmarrësve në votim nga komisionarët e numërimit Xheladin Krasniqi si dhe Visar Gashi, kanë nisur paqartësitë dhe situata është tensionuar. Përleshja kishte filluar në orën 17:30 e policia ka arritur që të jetë në vendin e ngjarjes dhjetë minuta pas, pra në 17:40.

Por, dëmet veçse ishin bërë, shumë grushte e shqelme ishin dhënë në mes të simpatizantëve të së njëjtës parti.  E kur policia arriti në vendin e ngjarjes, e qetësoi situatën. Por mbetën të lënduar organizatori i kuvendit, Sherif Vrajolli e kundër kandidati për kryetar i kuvendit në Matiqan, Remzi Gashi. Lëndime po ashtu mori edhe Avdullah Krasniqi.

E në mes të gjithë kësaj situate mbetën të arrestuar gjashtë persona. Emrat e të arrestuarve janë këta: Remzi Gashi, Xhelatin Krasniqi, Avdullah Krasniqi, Sherif Vrajolli, Behar Gashi e  Visar Gashi.

E në cilësinë e të dyshuarve në mbajtje me urdhër të prokurorit kujdestar janë dërguar Visar  e Behar Gashi. Të njëjtit do të qëndrojnë në paraburgim deri në shqiptimin e një mase tjetër.

Pas përleshjes fizike në mes anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin zgjedhor në Mat, Sherif Vrajolli është zgjedhur kryetar i kësaj nëndege. Ndërsa nënkryetar është zgjedhur Kreshnik Hoxha.

E gjithë kjo, dyshohet po ndodhë mes përçarjes së madhe, në mes Hazir Borovcit dhe Arban Abrashit.  Sherif Vranjolli, gëzon mbështetjen e Hazir Borovcit. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë