Kush po dyshon se caktimi i seancës më 22 gusht mund të jetë lojë e presidentit Thaçi

Caktimi i datës 22 gusht për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, pas dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj, për Lëvizjen Vetëvendosje po konsiderohet datë e vonë dhe enigmatike, që nxitë dyshime të bazuara.

Deputeti nga radhët e LVV-së, Xhelal Sveçla, ka thënë për Ekonomia Online se një prej arsyeve të caktimit të kësaj date ka të bëjë me një lojë të presidentit Hashim Thaçit.

“Ne kemi kërkuar që seanca të mbahet sa më shpejtë, të shpërndahet Kuvendi dhe të kalojmë në procedura të tjera deri tek zgjedhjet e parakohshme të cilat do të nxirrnin forca më legjitime për të udhëheq procese para të cilave Kosova gjendet. Tash, pse kaq vonë, kjo është enigmë për ne. I vetmi dyshim që na bie në mend është ndonjë lojë e momentit të fundit të presidentit meqenëse kemi përvoja jashtëzakonisht të hidhura politike me të”, ka thënë ai.

Ai e mohon krijimin e një qeverie teknike, por shprehet se tentativa për këtë do të ketë.

Sipas tij, kjo do të bëhet me qëllim të vonesës së procesit zgjedhor, porse në zgjedhje VV-ja mund të bëjë ndryshimin substancial, nëse në krye të Qeverisë vjen Albin Kurti.

“Në skenën politike në Kosovë, janë dy pole politike, ai i ndryshimit dhe ai i vazhdimësisë. Poli i vazhdimësisë është PDK e cila ka kapë shumicën e institucioneve dhe shtetin në përgjithësi dhe është LVV e cila është garant i ndryshimit substancial. Duke qenë kështu, ne jemi të vendosur se i vetmi garant i ndryshimit është Albin Kurti si kryeministër i ardhshëm i Kosovës”, thotë ai. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë