Presidenti t’ia japë mandatin subjektit të dytë të dalë nga zgjedhjet (LVV-së), për ta bërë qeverinë pa zgjedhje

Ish bashkëpartiaku i Albin Kurtit por i ndarë nga ai me disa tjerë dhe tashmë shef i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, ka thënë se do të ishte interesante që presidenti Hashim Thaçi t’i ofronte mandatin subjektit të dytë të dalë nga zgjedhjet e fundit për të formuar qeverinë, që në këtë rast do të ishte Vetëvendosje.

Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, Thaçi ia ofroi mandatin Kadri Veselit si lider i koalicionit PAN, fitues i zgjedhjeve të fundit, që të sigurojë votat për të formuar qeverinë e re. Megjithatë, partitë parlamentare janë pajtuar që më 22 gusht të mbajnë seancë për shpërndarjen e Kuvendit dhe dërgimin e vendit në zgjedhje. E, sipas Sejdiut, kjo do të mund të shmangej nëse Thaçi do të shfrytëzonte të drejtën ligjore që të mandatojë të dytin, Vetëvendosjen, për të formuar qeverinë.

“Ajo që është me rëndësi të thuhet është se në aspektin procedural dhe ligjor presidenti ka të drejtë të mandatojë dikë të formojë qeverinë. Subjekti i dytë ishte LVV dhe ka mundur të mandatojë, por është në diskrecion të presidentit dhe ka mundur të mandatojë Kurtin për shembull e ai të mbledhë nënshkrimet për të bë qeverinë. Nëse ia jep mandatin, LVV e LDK do të mund të bënin një qeveri interesante”, ka thënë Sejdiu. “Do të ishte mundësi e mirë për ata që deklarohen për ndryshim që të organizohen për diçka që do të çonte PDK-në në opozitë”.

Sejdiu megjithatë ka thënë se janë më shumë pro zgjedhjeve të reja. Këtu ka propozuar një bashkim të partive të krahut të majtë.

“Është ajo që po e them, po nuk po merrem seriozisht si duket, është bashkimi i bllokut të majtë, PSD-VV-Nisma. Të dalim para votuesve me program të majtë”, ka thënë Sejdiu, që megjithatë ka thënë se pret që diskutimi për të majtën do të duhej të jetë debat pas 20 vjetësh.

Sipas tij, hisedar në këtë gjendje të keqe në Kosovë nuk është vetëm PDK-ja, por edhe LDK-ja. “E kemi një bashkëqeverisje 15 vjeçare me LDK-në”, ka thënë Sejdiu.

Sejdiu ka pranuar se, sipas matjeve të tyre, PSD-ja aktualisht ka gati 6 për qind të votave. Ai ka thënë se katër parti të tjera janë në majë, shumë afër njëra-tjetrës, me LDK-në që prin.

“S’jemi të parët. Jemi në garë për një numër deputetësh. Të tjerët janë të gjithë të parët. Kanë qejf. Në matjet tona është e qartë si qëndrojmë. Ka një parti të parë me diferencë të vogël. Diferenca mes të parit, dytit, tretit dhe të katërtit është e vogël. LDK del e para e të tjerët më pas. Ne jemi afër pragut, gati 6 për qind, e besojmë se do të rritemi deri në zgjedhje. Kemi qëllim të bëjmë grup parlamentar”, ka thënë ai. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë