Kush tjetër pos Merkel do të mund ta çonte para BE-në

Në kohën kur Bashkimi Evropian po has në pengesa në rrugën drejt konsolidimit të projektit për bashkësinë e kombeve evropiane nën një ombrellë, sidomos tash pas Brexit-it dhe tendencave të partive të djathta në Evropë për ta dobësuar dhe rrënuar projektin e quajtuar “BE”, nevojitet një lider i fortë e i dëshmuar, me autoritet të lartë, jo vetëm për t’i zhbërë tendencat anti BE, por për ta forcuar dhe konsoliduar vazhdimësinë e BE-së, shkruan Kabllogrami.

Në këtë frymë edhe ish-kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, beson se kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, duhet të vazhdojë të luajë rol drejtues në Evropë pasi ta përfundojë mandatin si udhëheqëse e vendit të saj.

Për Renzin, Merkel duhet të marrë rolin e Presidentit të Këshillit të Evropës, apo të paktën pozitën e Shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, shkruan Euronews.

Në librin e tij “Un’altra strada” /nç shqip: Një mënyrë tjetër/, ish kryeministri italian ka shkruar: “Do të ishte e dëshirueshme që një figurë udhëheqëse si Angela Merkel, që pasi të largohet nga pozita e Kancelares në muajt e ardhshëm pas 15 vjet udhëheqje të pandërprerë, të mund të vazhdonte që t’i shërbejë Evropës me një kapacitet tjetër”.

“Merkel mund të ishte person i duhur që ta drejtonte Politikën e Jashtme, por që ajo do të ishte edhe kandidate e mirë për Kryetare të Këshillit” mendon Renzi.

“Evropianët duhet të kërkojnë që Angela Merkel të jetë Presidente e Këshillit Evropian. Nuk e di nëse do ta bëjnë këtë” shkruan në librin e Renzi.

Aktualisht pozitën e kryetarit të Këshillit të Evropës e mban Donald Tusk, ndërsa atë të Shefes për Politike të Jashtme, Federica Mogherini, të cilët nuk janë shquar shumë në lidership konstruktiv. Këto pozita do t’i mbajnë deri në zgjedhjet e muajit Maj të këtij viti. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë