Turpërohet Reali midis Madridit

Girona nga fundi i tabelës që rrezikon rënien nga La Liga, si mysafire e ka mposhtur Real Madridin me rezultat 2:1 me përmbysje në ndeshjen e zhvilluar sot paradite. Kjo ishte fitorja e parë e Gironës pas 10 ndeshjeve, raporton Kabllogrami.

Real Madridi pas kësaj disfate të papritur, tani është nëntë pikë prapa rivalit dhe liderit të La Ligës, Barcelonës.

Girona ia ndërpreu skuadrës së Santiago Solarit ecurinë prej pesë fitoreve radhazi në ligë, dhe e bëri të ngel edhe një hap prapa Barcelonës në garë për titull, falë golave nga Christian Stuani dhe Portu.

Në fakt, Reali e nisi këtë ndeshje aty ku e kishte lënë ndeshjen e fundit, duke kaluar në epërsi prej 1:0, kur Casemiro shënoi me kokë pas një asistimi nga Toni Kroos.

Por, vizitorët nga Girona kishin përgatitur ferrin për vendasit në pjesën e dytë. Kapiteni Serigo Ramos ndali topin me dorë në zonë, duke shkaktuar penallti 25 minuta para fundit.

Stuani nuk gaboi nga pika e bardhë dhe i barazoi në 1:1 shifrat. Dhjetë minuta më vonë, Girona ishte shumë pranë golit të epërsisë, por goditja e Portu u ndal nga shtylla.

Megjithatë, një çerek orë para fundit, Portu nuk gaboi sërish dhe shënoi për 2:1 duke e përmbysur kampionin evropian.

Gjërat u përkeqësuan edhe më shumë për Madridin, pasi kapiteni Ramos u përjashtua nga loja pasi mori kartonin e dytë të verdhë në minutën e 90-të.

Real Madrid tani gjendet në vendin e tretë në tabelë me 45 pikë pas 24 xhirove, derisa Girona ngritet në pozitën 15 duke ikur përkohësisht nga zona e rrezikshme me 27 pikë pas 24 xhirove. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë