Pas numërimit të votave të ‘vonuara’ nga diaspora për të cilat Gjykata Supreme pas ankesës së LVV, urdhëroi KQZ-në t’i numërojë dhe t’i njohë për të rregullta, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet t’i shpallë rezultatet përfundimtare nesër, pra gjatë ditës enjte, nëse nuk do të ketë ankesa brenda 24 orëve në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, raporton Gazeta Online Kabllogrami.
Nga 1806 vota që kanë ardhur nga diaspora, me vendim të Gjykatës Supreme, shumica e tyre janë për Lëvizjen Vetëvendosje. Nga numërimi i këtyre votave del që LVV i ka marrë 1154 sosh. Sipas këtij rezultati, VV-ja i merr 32 deputetë në Kuvend.
Lajmin për deputetin e 32-të të Lëvizjes Vetëvendosje e kanë dhënë edhe deputetët e rinj të këtij subjekti, Hekuran Murati dhe Taulant Kryeziu. Ata kanë publikuar fotografi me numrin 32, duke nënkuptuar numrin e deputetëve që Vetëvendosje do të ketë në legjislaturën e ardhshme.
Ndërkaq zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, sipas të cilit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të veprojë në përputhje me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme lidhur me shpalljen e rezultateve përfundimtare, ka thënë se: “Ligji për zgjedhjet e përgjithshme e lejon mundësinë që të bëhet ankesë brenda 24 orëve në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Prandaj, duke e ditur se të martën rreth mesnatës është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve sipas vendimit të Gjykatës Supreme, KQZ-ja është e obliguar që të respektojë këtë afat ligjor. Ashtu siç ju kemi informuar, KQZ-ja do të komunikojë me institucionet përkatëse për të marrë konfirmim se nuk kanë ndonjë çështje në shqyrtim dhe pastaj do të mund të shpall rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve. Nëse nuk do të ketë ankesa brenda këtij afati, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i shpall rezultatet përfundimtare gjatë ditës enjte”, ka thënë ai. /©Kabllogrami/