Njeriut që pajtoi e bashkoi shqiptarët, besoni ose jo, s’i bëhet vend për Shtatoren e tij

Shtatorja e Anton Çettës në bronz e punuar nga skulptori Agon Qosa ka kohë që ka përfunduar. Njeriu që pajtoi e bashkoi shpirtërisht shqiptarët në tokat Ilire të ish Jugosllavisë, duke i mobilizuar për rezistencë e qëndresë ndaj politikave fashiste në rritje të Serbisë në atë kohë, akoma s’po mund të gjejë vend gjëkundi, shkruan sot Kabllogrami

 

Skulptori Agon Qosa ka ditë që ka përfunduar punën për realizmin e shtatores për plakun e urtë, njeriun – ndër më shquarit e historisë së re të popullit shqiptar, pajtuesit të gjaqeve e mbledhësit të folklorit burimor shqiptar. Sikur popujt tjerë ta kishin një personalitet dhe intelektual të përmasave të tilla, që dha aq shumë për popullin e vet, me shumë mundësi do ta shpallnin të shenjtë, e lëre më edhe pa një vend për përmendore.

Skulptori tashmë ka shkrirë veprën e tij në bronz. Por atij i është thënë që ta mbajë shtatoren në atelie. Se sa do të qëndrojë figura e Çettës në atelienë e skulptorit Qosa nuk dihet. Kjo, për shkak se shteti ende nuk ia ka bërë një vend shtatores nëpërmjet së cilës do të kujtohet prijësi i Lëvizjes për pajtimin e qindra mijëra familjeve shqiptare nga gjaqet e ngatërresat, vragë kjo e rëndë për popullin tonë të cilën e stimulonin pushtuesit ndër shekuj, sipas maksimës së njohur “përçaj e sundo”.

Skulptori Agon Qosa ka treguar ditë më parë, se shkrirja në bronz e shtatores është bërë në Mitrovicë, nga Ervis Harlicaj. Sipas tij, vepra tashmë është e gatshme dhe mund të vendoset menjëherë në secilin lokacion që i caktohet. Por një gjë e tillë s’po bëhet, mbase nga miopia që karakterizon popujt e paemancipuar, apo se pushtetarët janë të zënë me procesin e pasurimit personal të tyre. Ku i dihet!?

Kohë më parë, Instituti Albanologjik i Prishtinës kishte refuzuar kërkesën që shtatorja e Anton Çettës të vendoset në oborrin e këtij institucioni. Gjerësa shtatorja e këtij personaliteti të shquar për kulturën dhe emancipimin e kombit tonë, meriton të vendoset mu në mes të qendrës së kryeqendrës, s’do të ishte për t’u habitur nëse shtatoren e Anton Çettës do ta alokojnë dikund ‘zotit pas shpine’ në ndonjë periferi apo rrugë qorre. / Mentor Bogaj /©kabllogrami.com/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë