Koment i redaksisё: Statistikat që tronditin – A po zhbёhemi si popull?!

 

Shkruan: Mentor Bogaj

 

Një publikim statistikor i disa ditëve më parë në Kosovë, alarmoi për natalitetin me rënie drastike në Kosovë. Ndër të tjera, aty thuhej se sipas të dhënave statistikore, në vitin 1991 në Kosovë, nga klasa e parë deri në të tetën ishin të regjistruar mbi një milion e dyqind mijë nxënës, ndërsa në vitin 2018 nga klasa e parë deri në të nëntën, në Kosovë ishin të regjistruar diç më shumë se gjashtëqind mijë nxënës. Kjo e dhënë është tepër alarmuese. Do të thotë, përgjysmim i nxënëseve në shkollat fillore të Kosovës për diku 600 mijë nxënës më pak, në harkun e një qerek shekulli.

Publikmi vë në dukje disa arsye për një gjendje të tillë alarmante, siç është emigrimi i madh i kosovarëve drejt perendimit në vitet ’90 të shekullit që lamë pas, i cili po vazhdon edhe pas çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës, për shkak të papërspektivës dhe politikave vet-shkatërruese të parisë politike, veçmas pas pavarësimit të vendit.

Arsye tjetër, konsiderohet edhe rënia e lindjeve, pasi që në Kosovë për shkak të papunësisë dhe krizës socio-ekonomike, shumica e familjeve të reja po hezitojnë të bëjnë më shumë se një apo dy fëmijë, derisa, gjithnjë e më të rralla janë rastet kur një familje e re vendos të ketë tre fëmijë. Pra, sipas shpjegimit të ekspertëve, ata që në vitin 1991 ishin një milion e dyqind mijë filloristë, tashmë janë rritur dhe një pjesë e madhe e tyre janë tretur nëpër Evropë e gjithandej nëpër botë, derisa mungesa e tyre fizike në Kosovë si dhe rënia drastike e lindjeve në Kosovë, ka bërë që të përgjysmohet numri për mbi gjysmë milioni i fëmijëvë në shkollat fillore të Kosovës. Ky fakt duket tejet alarmues.

Njohësit e këtyre proceseve janë të tronditur me këto shifra befasuese të vet-zhdukjes sonë me këto trende, derisa gishtin e drejtojnë kah presidenca dhe qeveria e Kosovës, duke thënë që është momenti i fundit që të fillohet të mendohet për popullin e Kosovës, e jo vetëm për interesat e ngushta të një grupi në pushtet, të cilët janë duke e shkretuar Kosovën dhe marrëdhëniet normale të zhvillimit. Atë që s’ka mund ta bëjë Serbia për njëqind vjet okupim, madje duke përdorur edhe gjenocidin ndaj nesh, atë po e bën për të, kjo kastë potikanësh të shitur e korruptuar që kanë mbytur përspektivat dhe gjymtuar vendin.

Në anën tjetër, fenomeni i quajtur ‘globalizim’ ka bërë të veten. Shtetet e mëdha e të fuqishme në ekonomi e industri po i ‘absorbojnë’ popujt e vegjël, duke joshur rininë intelegjente me punë e paga të mira, me kushte të mira jetese, me demokraci të zhvilluar ku vërtet sundon ligji, parakushte këto që një i ri s’i ka përjetuar kurrë në vendlindje, përveç në retorikat boshe nga fushatat elektorale të politikanëve të korruptuar.

***

Në anën tjetër, shteti i Serbisë ka 15 vite që ka përpunuar një elaborat dhe po e zbaton në praktikë me shumë sukses, për stimulimin e lindjeve në Serbi dhe rritjen e natalitetit të tyre. Reklamat televizive të përditshme, shumë nxitëse dhe frymëzuese për shtimin e natalitetit në Serbi me gjithë benifitet e garantuara nga shteti, janë gjithandej nëpër televizionet serbe.

Për çdo fëmijë, serbët kanë paraparë të ardhura të majme mujore, derisa me shtimin e lindjeve janë paraparë dyfishime e trefishime të përfitimeve, deri në sigurimin e shtëpive dhe banesave luksoze për banim, punësimin e të gjithë anëtarëve të rritur të famijes si dhe sigurimin e shkollimit dhe mirëqenies për femijët deri sa të arrijnë moshën madhore.

Jo vetëm kaq, shkollim të lartë për të gjithë ata që duan dhe gjetjen e punës së dinjitetshme për të mos lejuar emigrimin dhe pastaj me bonuset ekstra të nxiten të krijojnë familje me sa më shumë lindje.

Sikur çdo punë që mund të ketë ngecje në rrugëtim, edhe ky projekt në Serbi po has në disa vështirësi me implementim, thuhet nga njohësit e këtyre proceseve në Serbi. Por, një gjë është e sigurtë se qeveria serbe, e ka marrë shumë seriozisht këtë punë dhe rezultatet e para po duket se po dhënë frytet e saj. Sepse, për çdo fëmijë të lindur rriten dyfish e trefish benifitet. Sipas kësaj logjike, për shkak të përfitimeve të majme materiale nga lindja e sa më shumë fëmijëve, prindërit mund të mos punojnë fare, u mjafton që të kujdesen dhe edukojnë fëmijët e tyre në shtëpi, e për të tjerat kujdeset shteti.

***

Hiq më e mirë se në Kosovë nuk është situata as në Shqipëri, e të mos flasim për tokat tjera Ilire në Mal të Zi, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Sanxhak etj, ku trendet e asimilimit dhe rënies drastike të natalitetit shqiptar janë, thënë më së buti – katastrofë.

Ajo që na shtyu për t’i shkruar këta rreshta dhe që na dha një fije shprese, është fakti që më në fund alarmohet edhe Qeveria shqiptare, e cila shpalli së fundi një politikë të re sociale që do të nxisë rritjen e popullsisë, duke shpërndarë nga janari 2019 një bonus prej 400 mijë lekësh për fëmijën e parë, 800 mijë lekësh për fëmijën e dytë dhe 1 200 000 mijë lekësh për fëmijën e tretë të lindur në çdo familje të Shqipërisë.

Nuk e di, a ta quajmë këtë një imitim të zbehtë të asaj që po bën qeveria serbe për shtimin e fëmijëve, por gjithësesi vlen të përshëndetet ky hap më se i pritur i qeverisë shqiptare dhe duhet të përkrahet gjithandej nga e tërë shoqëria shqiptare (përfshi median), për të kërkuar implementimin në vazhdimësi të kësaj skeme, e jo të mbetet vetëm projekt në letër.

Këtë strategji shpresë dhënëse e shpalli vet kryeministri I Shqipërisë, Edi Rama, duke thënë se, “nga kjo politikë e re sociale, do të përfitojnë nga 1 Janari 2019 të gjithë fëmijët e porsalindur në tërë Republikën e Shqipërisë”. Një strategji të tillë, me urgjencë duhet ta bëjë dhe me patjetër ta implementojë edhe Qeveria e Kosovës, për të shpëtuar të paktën atë që mund të shpëtohet.

Mbesim me shpresë që, kjo strategji e Qeverisë Shqiptare nuk është vetëm sa për t’u hedhur hi syve shqiptarëve, në vazhdën e politikave ditore apo premtimeve elektorale, e që më pastaj të ngelet vetëm projekt në letër, i futur diku thellë në sirtarët e pluhërosur të burokracisë./kabllogrami.com/

 

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë