Protestë kundër vizitës së Putinit në Serbi: Do të na rrënojë edhe më tepër shtetin

Disa organizata të ndryshme joqeveritare dhe qytetarë kanë bërë thirrje për protesta kundër vizitës së Vladimir Putinit në Serbi. Ata kanë thënë se kjo protestë është kundër “glorifikimit që po i bëhet regjimit autoritar të Putinit në Serbi”.

Këto organizata dhe shumë qytetarë thonë se kjo vizitë e Putinit dhe lavdet që po i bëhen nga mediat nxisin edhe më tepër rënien dhe dëmtimin e institucioneve demokratike, të drejtave dhe lirive të qytetarëve në Serbi.

Këto organizata i kanë kujtuar Putinit se në Rusi që nga viti 1992 deri në vitin 2019 janë vrarë 58 gazetarë në Rusi, gjë që jep një alarm për perspektivën e medias në Serbi nëse e ndjek modelin e Rusisë së Putinit.

Gjithashtu, këto OJQ kanë folur për financimet që Putini i bënë nëpër mediat e ndryshme në Serbi dhe nëpër organizata joqeveritare.

Sipas tyre kjo vizitë e Putinit nënkupton braktisje të rrugës së integrimit Euro-Atlantik të Serbisë.

“Edhe përkundër faktit se ekzekutivi serb e mohon, kjo vizitë do të thotë braktisje e reformave dhe i integrimit Euro-Atlantik”, thuhet ndër të tjera nga këto OJQ, shkruan televizioni N1, transmeton Gazeta Express.

Për këtë vizitë ndërkohë shteti serb dje ka bërë përgatitjet e fundit. Janë angazhuar mbi 5000 forca policore për sigurinë e Puitinit, ndërkohë shumë qytete janë urdhëruar nga Vuçiqi që të dërgojnë sa më shumë qytetarë me autobusë falas dhe ditë të lirë pune, për në Beograd për ta bërë edhe më madhështore pritjen.

Shumë rrugë qendrore dhe sheshe kryesore janë bllokuar në Beograd, për shkaqe sigurie. Në këtë vizitë ndër të tjera pritet që Putin e Vuçiq të diskutojnë edhe për çështjen e Republikës së Kosovës. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë