Qosja: Kosova shtet autokratik, shpëtimi është te brezi i ri i njerëzve të politikës

Akademik Rexhep Qosja ka thënë se Kosova sot funksionon si shtet autokratik. “Ne sot kemi të kapur prej shteti gjyqësorin. Ne sot kemi të kontrolluara mediet…, Arsimin e Shëndetësinë”, ka thënë Qosja, duke shtuar se njerëzit që janë në pushtet dikur kanë qenë të varfër, dhe kjo paraqet rrezik, pasi janë pasuruar në mënyrë marramendëse për disa vite në pushtet duke mos mendur për zhvillimin e shtetit por vetëm për veten e tyre.

Ai në një intervistë për “A2 CNN”, ka thënë se shtyllat kryesore që e bëjnë shtetin të funksionojë si duhet janë të kapura dhe skajshmërisht të korruptuara. Në këtë frymë ka folur për korrupsionin dhe nepotizmin që po ia zënë frymën kësaj shoqërie, derisa kështu po e nxisin zbrazjen e Kosovës nga populli e rinia.

Ai ka ofruar edhe zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohet Republika e Kosovës. Qosja ka thënë se zgjidhja e të gjitha problemeve të Kosovës është brezi i ri i njerëzve të politikës.

 “Por ne sot duhet të shtrojmë pyetjen. Si funksionon ky shtet, shtet i quajtur demokratik sot? Unë them se ky shtet i Kosovës sot në masë të madhe funksionon si shtet autokratik. Institucionet e këtij shteti, janë institucione në pjesën më të madhe të kohës autokratike të shtetit partiak”, është shprehur Qosja.

 “Ne sot kemi të kapur prej shteti gjyqësorin. Ne sot kemi të kontrolluara mediet. Bile një numër të tyre mund t’i quajmë medie të kolonizuara. Ne sot kemi një reformë arsimore që e ka shtuar madhësinë e institucioneve të arsimit, sasinë e tyre, por e ka ulur, zbritur, dëmtuar cilësinë e arsimit. Prandaj keni parë se çfarë protestash kanë bërë kuadrot e arsimit. Ne kemi sot një shëndetësi po ashtu të shpërfillur, sidomos të shpërfillur nga aspekti material. Prandaj kirurgët, njerëzit e një profesioni shumë të rëndë dhe shumë të rëndësishëm për jetën e njeriut, janë njerëz që merren me jetën, për të shpëtuar vdekjen e njerëzve, dhe janë të shpërfillur, nënçmuar me rrogat e tyre”, ka thënë Qosja.

Më tutje, akademik Qosja ka folur edhe për kulturën politike në institucione. Ai ka thënë se njerëzit që janë në pushtet dikur kanë qenë të varfër.

“Duhet të thuhet me keqardhje se numri më i madh i këtyre që janë në pushtet sot, kanë marrë pushtetin, që kanë fituar pushtetin edhe në zgjedhje kanë ardhur në pushtet si të varfër. Sot janë njerëz të cilët, duke qenë në pozita politike janë pasuruar në mënyrë të jashtëzakonshme. Dhe të gjithë ata, sidomos ata të rendit të parë dhe të rendit të dytë, e përdorin pushtetin për nevojat e veta”, ka theksuar akademik Qosja, duke shtruar se niveli i korrupsionit është duke e dëmtuar Kosovën në të gjitha fushat.

“Ne kemi një korrupsion të jashtëzakonshëm, të madh, të cilin e nënçmojnë këtu. Por, liberalizimi i vizave, Kosovës nuk po i jepet në radhë të parë për shkak të këtij korrupsioni”, ka thënë Qosja.

Në këtë intervistë, Qosja ka përmendur edhe familjarizim në institucione, duke thënë se kjo dukuri është e rrezikshme për vendin.

“Ne kemi një dukuri tjetër shumë dëmtuese, shumë të dëmshme, shumë të rrezikshme, shumë cenuese për zhvillimin e Kosovës, kemi të ashtuquajturin familjarizëm me të cilin mbulohen dhe privilegjohen jo vetëm familjarët, por edhe miqtë, dashamirët, po edhe shokët, po edhe anëtarët e partisë. Ata janë ata që punësohen. Ata janë ata që u jepen privilegje. Me një fjalë pushteti sot në Kosovë është vënë në shërbim të njerëzve që janë në pozita. Dhe ata s’i kap ligji. Ata janë mbi ligjin objektivisht. Dhe të gjitha këto dukuri kanë sjellë një pakënaqësi të madhe tek populli dhe kanë sjellë disa pasoja të mëdha. Kosova në njërën anë i ka këta të pasurit politik, milionerët politik, në anën tjerë ka popullin e varfër. Kjo gjendje ka sjellë një shpërngulje të rrezikshme, të madhe, një shpopullim gjithnjë më të shpejtë të Kosovës. Kjo gjendje ka sjellë që të rinjtë, numri më i madh i të rinjve bën çmos për të dalë prej Kosove, dhe po dalin, po lëshojnë Kosovën”, ka thënë Qosja.Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë