Shteti i fundit fashist në Evropë sërish diskriminon sportistët kosovarë, tash viktimë bien vashat e ‘Istogut’ në Hendboll

Koment nga Mentor Bogaj

Shteti Spanjoll është shteti me regjimin politik fashist më të gjatë në Evropë, konkretisht deri në prag të viteve ’80 të shekullit të kaluar kur lideri i tyre Franko ndërron jetë. Si duket, shteti spanjoll s’po mund të lirohet akoma nga trashëgimia fashiste e të menduarit dhe vepruarit.

Për më tepër, përkrahja e politikave fashiste të Serbisë dikur dhe tashti për pasardhësit politik të Millosheviqit e Sheshelit, e vërteton katërcipërisht këtë trashëgimi spanjolle. Politikanët në Spanjë mund të quhen socialistë, social – demokratë, liberalë etj, por si duket trashëgimia fashiste është e rrënjosur thellë në të menduarit dhe vepruarit të tyre.

Pengesat politike që po ia shkaktojnë Republikës së Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, ku si shkas po e marrin analogjinë me Kataloninë dhe Baskinë, mbase edhe mund të kuptohen, ndonëse të pa bazuara dhe pa mbështetje juridike të argumentuar, për faktin se edhe Kosova si element konstituiv i ish Federatës Jugosllave, sikur vendet tjera në ish Jugosllavi që u ndanë nga federata – tashmë të gjitha shtete të pavarura, u pavarësua duke respektuar të drejtën ndërkombëtare, gjë që e konfirmoi edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Por pse sportistët të diskriminohen? A duhet përzier patjetër sporti me politikën, ndonëse kjo shkel vlerat e parimet bazë të humanizmit, të drejtat njerëzore e vlerat e qytetërimeve perëndimore.

T’i kthehemi paradoksit. Ndonëse, klubi i vashave të ‘Istogut’ në hendboll ka bërë 34 orë udhëtim rraskapitës për të mbërritur në Malaga të Spanjës, duke u maltretuar nëpër aeroportin e Stambollit ku humbën aeroplanin, me të arritur në Spanjë i janë paraqitur problemet e para rreth simboleve shtetërore të Kosovës. Ato në Spanjë kanë shkuar për ta zhvilluar të dy ndeshjet e të 16-ës së finales në Challenge Cup, ndaj ekipit ‘Ferdilidad Malaga’.

Sikur gjithë ai maltretim mos të mjaftonte, autoritet spanjolle kanë kërkuar që klubi i femrave në hendboll ‘Istogu’ të paraqitet pa simbole shtetërore, gjë të cilën nuk e ka pranuar klubi kosovar.

Në një njoftim të klubit të hendbollit të femrave ‘Istogu’ thuhet se: “Drejtuesit e Istogut nuk kanë pranuar që skuadra e Istogut të paraqitet në terren pa flamurin shtetëror të Republikes së Kosovës, dhe për këtë qëndrim kanë përkrahjen e plotë edhe të Federatës së Henbollit të Kosovës, e cila përkrahë ‘Istogun’ që kjo ndeshje të zhvillohet vetëm në kushte të barabarta”, derisa siç thuhet tutje në njoftim, “negociatat janë duke vazhduar” për t’u tejkaluar ky absurditet i shtetit spanjoll.

Ndeshja e parë që u luajt sot me fillim në orën 18:30, pas gjithë atyre maltretimeve të rraskapitjes e lodhjes fizike e psikike si duket dha rezultatet e veta. Dhe s’kishte si të përfundonte ndryshe.

Pas 60 minutash lojë Istogu ka pësuar humbje të thellë, me rezultat 9:40, në një ndeshje shumë të pa barabartë.

Ndeshja e dytë /kthyese/ zhvillohet nesër në të njejtin vend, duke filluar prej orës 11.00, por pa gjasa që skuadra e Istogut të bëjë diçka më shumë lidhur me kualifikimin tutje. Tash pasi që ia arritën qëllimit, mbase fashistët edhe zgërdhihen për dhunën psikike të ushtruar ndaj sportisteve kosovare.

Vlen të theksohet që kjo nuk është hera e parë që sportistët kosovarë hasin në probleme të tilla në Spanjë.

Edhe në botërorin e fundit të Karatesë që u mbajt në muajin nëntor 2018, Spanja ua kishte ndaluar përfaqësuesve të Kosovës të përdornin simbole shtetërore. Atëbotë Kosova në botërorin e Karatesë mbeti pa medalje, mbase edhe për faktin se rreth ekipit të Kosovës kishte zhvillime shqetësuese të natyrës politike që padyshim ndikuan edhe në performancën e sportistëve kosovarë.

“Shteti spanjoll nuk kishte lejuar flamurin e Kosovës në sallën ku u zhvilluan garat e botërorit, ndërsa karateistët kosovarë në vend të shkurtesës “KOS”, në shpinë kishin shkurtesën WKF, përkatësisht inicialet e Federatës Botërore të Karatesë”, raportonte Kabllogrami.

Kështu edhe njëherë sportistët kosovarë u diskriminuan, përkatësisht nuk u trajtuan në mënyrë të barabartë me të tjerët, ndonëse në asnjë rrethanë sporti s’do të duhej të përzihej me politikën që është parim bazë i demokracive perëndimore, por kur kesh të bësh me mentalitet arkaik dhe trashëgimi fashiste të shtetit spanjoll, s’mund të pritësh më mirë.

Edhe pse do të duhej, madje me zë të lartë, nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar nga institucionet e fjetura të pushtetit në Kosovë, për trajtimin diskriminues dhe jo të barabartë të sportistëve të saj në shtetin e Spanjës. Ky trend i heshtjes, përuljes dhe mosreagimit duhet të ndërpritet. Duhet ngritur zëri duke kërkuar fuqishëm trajtim të barabartë dhe të ndalet diskriminimi e përbuzja njëherë e përgjithmonë. Mbase kjo do t’i ndihmonte edhe Spanjës të largohen nga mendësia e errët fashiste. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë