‘Thaçi po tallet me qytetarët e Kosovës, e pritshme nga ai që të ‘nxjerrë kokën’ e të flet për ndarje të Kosovës’

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se ekziston një plan për një ndarje të re të Kosovës.

Selimi, në një lidhje direkte për emisionin “Dossier D” në RTV Dukagjini, ka thënë se është pritur që një ditë Hashim Thaçi do të dilte në publik dhe do të shprehej hapur për ndarjen e Kosovës.

“Thaçi me këtë ndarje të re po e proklamon paqen. Deklaratat e tij nuk janë të papritura fatkeqësisht. Ne kemi pritur që ai një ditë do të nxjerrë kokën dhe do të fletë. Ai akoma ka për të dhënë në kuptimin negativ, sa i përket planit të tij me Vuçiqin”, tha ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se Thaçi po teston opinion publik për një plan që ai e di e qytetarët nuk e dinë.

“Thaçi po tallet me inteligjencën tonë. Ai po tallet me inteligjencën e qytetarëve të Kosovës. Nuk janë aq budallenj qytetarët e Kosovës të mos e kuptojnë që ai po përgatit tregimin e tij të fundit… Fjalët e tilla janë test për qytetarët e Kosovës, por edhe përgatitje për opinionin për diçka që ai e di një plan që ne nuk e dimë”, ka thënë ai, përcjell Telegrafi.

Selimi ka thënë se plani që po përgatitet, e që po e paralajmërojnë një hap para Thaçit serbët, nuk është në interes të Kosovës.

“Bëhet fjalë për ta ndarë Kosovën dhe për ta zhbërë Pavarësinë e Kosovës dhe për një plan që nuk është në interes të Kosovës”.

Deputeti opozitar ka paralajmëruar edhe protesta, kundër një plani siç thotë ai “për ndarje të Kosovës”. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë