Thaçi qenka i zhgënjyer me BE-në, thotë Kosovën po e trajton ndryshe nga vendet e tjera

Presidenti thotë se BE-ja po e trajton Kosovën ndryshe nga vendet e tjera, dhe këtë e ka quajtur padrejtësi. Por duhet t’ja kujtojmë presidentit se pikërisht lidershipi i tij i papërgjegjshëm që nga ardhje e tij në pushtet tash e 10 vite ku e ka institucionalizuar krimin e organizuar e korrupsionin si dhe ka përdhosur në tërësi sundimin e ligjit, janë shkakatarët që edhe bota sillet kështu papërfillshëm ndaj nesh, shkruan Kabllogrami.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj konkulzioneve të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian për Kosovën.

Sipas tij, turbulencat e brendshme në BE, e ka turbulluar vizionin e saj për Kosovën. E për këtë ne nuk jemi fajtorë dhe nuk paraqesim asnjë rrezik për BE-në.

“Me shqetësim i kam lexuar konkluzionet zhgënjyese të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, është shprehur ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Shihet qartë që turbulencat e brendshme e kanë turbulluar vizionin e BE-së, e cila nuk po arrin të tejkalojë instinktin proteksionist dhe neglizhencës ndaj tërë rajonit, e posaçërisht Kosovës.

Ne nuk jemi fajtorë për problemet e brendshme të BE-së, dhe as që paraqesim asnjë rrezik për BE-në.

Prandaj, ne nuk do të mund të cilësohemi si fajtorë për zvogëlimin e rolit të BE-së në rajon dhe në Kosovë për shkak të dështimeve të vazhdueshme të saj.

Përderisa shtete fqinje, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë pritur lajme substanciale në rrugën e tyre për anëtarësim në BE, ne kemi pritur diçka krejt minimale.

Ne kemi pritur vetëm një reflektim pozitiv sa i përket fundit të izolimit të padrejtë të popullit të Kosovës.

Fatkeqësisht, BE-ja është duke e trajtuar Kosovën ndryshe krahasuar me vendet e tjera, dhe kjo padrejtësi nuk kalon pa u vërejtur. Por, nuk kalon pa u vërejtur as mungesa e një përkushtimi konstruktiv i institucioneve tona shtetërore për koordinimin e veprimeve strategjike në interes të vendit.

Unë ftoj liderët institucionalë dhe ata të partive politike parlamentare që të reflektojnë për situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi ynë në raport me realizimin e perspektivës tonë për anëtarësim në BE dhe NATO.

Izolimi dhe stagnimi duhet të marrin fund. Qytetarët e Republikës së Kosovës e meritojnë zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike.”, thuhet në reagimin (tashmë krejt të pavlerë) të Hashim Thaҫit. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë